Zyra e BE’së kërkon të respektohet vendimi për Universitetet, ia tërheqin vërejtjen Haradinajt

  • 16 July 2019 - 14:52
Zyra e BE’së kërkon të respektohet vendimi për Universitetet, ia tërheqin vërejtjen Haradinajt

Zyra e BE’së në Kosovë kërkon që politika t’i mbajë duart larg nga pavarësia e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Vendimin për mos akreditim të tri universiteteve publike, nga kjo Zyrë e shohin si vendim të drejtë, që me shpresë do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka tërhequr vërejtjen kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, pasi që ky i fundit ka paralajmëruar veprime ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, institucion ky që vendosi të mos akreditojë për vitin e ardhshëm akademik Universitetin e Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës.

Në një përgjigje për media nga Zyra e BE-së thonë që duhet të respektohet vendimi i KSHC-së si një institucion i pavarur, sidomos nga akterët politik.

“Ky vendim ishte i vështirë, por i drejtë dhe në përputhje me mandatin e Agjencisë për të siguruar arsimin më cilësor. BE mbështet fuqishëm rolin dhe pavarësinë e agjencisë së akreditimit të Kosovës. Vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë akterët e interesuar, në veçanti nga niveli politik”, thuhet në përgjigje.

Qëllim kryesor sipas përfaqësuesve të BE-së në Kosovë duhet të jetë kualiteti i lartë i arsimimit për të gjithë studentët, duke thënë se mbesin me shpresë që vendimi i marrë nga KSHC të nxis universitetet për të përmirësuar cilësinë.

“Ajo që është qëllim kryesor, është  arritja e një kualiteti më të lartë të arsimit të lartë për të gjithë studentët në Kosovë. Ky vendim me shpresë do të hapë rrugën për këto universitete që të përmirësojnë cilësinë e performancës së tyre dhe shërbimet e tyre për studentët”, potencojnë nga zyra e Nataliya Apostolovës.

Ata thonë se janë në dijeni që një vendim i tillë do të ketë ndikim në regjistrimin e studentëve për vitin e ardhshëm akademik, duke shtuar se këto universitete do të vazhdojnë të operojnë me studentët të cilët tashmë janë regjistruar.

“Më 15 korrik, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ka marrë vendimin për të ndaluar akreditimin e tre universiteteve publike dhe katër kolegjeve private. Ky vendim do të ketë ndikim në regjistrimin e studentëve për vitin e ardhshëm akademik. Ne kuptojmë se këto universitete do të vazhdojnë të funksionojnë dhe që studentët e regjistruar tashmë do të vazhdojnë pa ndërprerje me vitin e ardhshëm akademik”, përfundon përgjigja e Zyrës së BE-së dhënë Gazetës Express.

Derisa dje Haradinaj kishte lëshuar vetëm një reagim në profilin e tij në facebook, ku paralajmëronte veprime ndaj vendimit të KSHC-së, në një konferencë për media të mbajtur sot ka qenë edhe më i ashpër, duke e quajtur Këshillin Shtetëror të Cilësisë si grup mafioz e mercenar , të cilët po i mbyllin universitetet publike për t’iu çuar studentë atyre private.

“Ky është një lloj krimi, kur dikush ka arrogancë me iu thanë krejt këtyre fëmijëve. Ndoshta kanë edhe dallavere me universitetet private, dhe në emër të cilësisë i mbyllin këto universitetet, për me shkue tek privatët.  Nuk mundesh me i lanë fëmijët. Në këtë Kosovë nuk punohet kështu. Nuk jemi krejt mercenar në këtë vend. Na dhemb çka ndodhë në këtë vend”, ka thënë sot Haradinaj.

Reagime për mos akreditim ka pasur edhe nga vetë universitetet respektive.

Një reagim i lëshuar nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë është bërë lajm në media për gabimet e shumta drejtshkrimore, dhe jo për mesazhin që dërgonte.

“Universiteti ”Haxhi Zeka” në Pejë e njofton opinion publik që pavarësisht vendimeve që do t’i pranojë ditëve në vijim, për mbylljen e këtij institucioni nuk mund të vendosë askush tjetër përpos Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë”, thuhet në reagimin e përmirësuar të këtij universiteti.

Përveç tre universiteteve publike nuk janë akredituar edhe katër universitet tjera private në Kosovës. Ky vendim është marrë pas këshillimit nga ekspertët ndërkombëtarë që janë pjesë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

(Kosova Sot Online)