I akuzuari thotë se kishte ardhur nga Italia për grabitjen e 400 mijë eurove

  • 16 korrik 2019 - 18:16
I akuzuari thotë se kishte ardhur nga Italia për grabitjen e 400 mijë eurove

I akuzuar për grabitjen e 50 mijë eurove në fshatin Kashicë të Istogut, Xhavit Berisha tha se po ta dinte se janë vetëm aq para, nuk do të ishte nisur fare të vinte nga Italia, por kishte ardhur për të kryer grabitjen pasi kishte menduar se bëhet fjalë për 400 mijë euro.

Një deklaratë të tillë, Berisha e dha të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, ku së bashku me të akuzuarin tjetër, Exhevit Zekiqi po akuzohen se kanë kryer grabitjen në familjen Shoshi, nga ku sipas prokurorisë, kishin marrë 50 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Berisha tha se e kishte lëshuar shtetin e Italisë me të vetmin qëllim që të vijë në Kosovë për të kryer grabitjen në fshatin Kashicë të Istogu, së bashku me të pandehurin  Exhevit Zekiq pasi siç tha, kishte menduar se bëhet fjalë për grabitje të 400 mijë euro për të cilat i kishte treguar i akuzuar Xekiq .

Po të dinte se bëhet fjalë vetëm për 50 mijë euro, Berisha tha se nuk do të nisej nga fare Italia për të ardhur në Kosovë.

“Kam menu se janë në pyetje 400 mijë euro se për 50 mijë euro nuk isha ardhë se 3 mijë euro më ka ba veç rruga me ardhë”, tha i akuzuari Xhavit Berisha.

Ideja për të kryer grabitjen në shtëpinë e familjes Shoshi sipas të akuzuarit  Berisha kishte qenë e të akuzuarit tjetër Exhevit Zekiq, ku siç tha, pasi kishte ardhur në Italia kishin bërë planifikimin e grabitjes.

Berisha tha se realizimin e grabitjen tek familja e Shoshi e kishin planifikuar dy javë më përpara për me tepër, sipas të pandehurit Berisha ata kishin vendosur të hyjnë në shtëpi pa maska për shkak se kishin pasur informacione se në atë shtëpi ishte një fëmijë dhe disa vajza të reja.

E gjithë shuma e parave të marra, sipas të akuzuarit Berisha, ishin 50 mijë e 20 euro, prej të cilave, Berisha tha se i kanë ndarë nga 25 mijë me të bashkakuzuarin tjetër.

Sipas Berishës, gjatë kohës së grabitjes, jashtë oborrit kanë qenë edhe disa persona të tjerë duke e vëzhguar situatën.

“Unë ia kam treguar policisë vendndodhjen e personit i cili ka vëzhguar nga jashtë, mirëpo personi në fjalë nuk është kojshi i pronarit Shoshit”, tha i akuzuari Berisha.

Nnë anën tjetër, i akuzuari tjetër në këtë rast, Exhevit Zekiq e mohoi kategorikisht se është kryes i grabitjes në familjen Shoshi.

Zekiq, para gjykatës tha se në ditën kritike kishte qenë në Bogë së bashku me bashkëshorten e tij, ndërsa e mohoi të ketë pasur çfarëdo kontakti me tani të akuzuarin Xhavit Beisha.

Siç tha Zekiq, planifikues i kësaj grabitje kishte qenë personi me emrin Xhevat Dasiq (i dënuar), mirëpo sipas tij nuk kishte pranuar të jetë pjesë e planit, megjithëse e pranoi se për këtë grabitje ishte i njoftuar nga Xhevat Dasiq.

“Për këtë grabitje te Agim Shoshi kam dëgjuar nga Xhevat Dasiq”, tha i akuzuari Zekiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu se përse pikërisht atë dhe të pandehurin Xhavit Berisha e kishin identifikuar në polici si dy grabitësit të ditës kritike, të dëmtuarat Ilirada Shoshi dhe Edona Lajqi në mesin e shumë fotografive të tjera, i akuzuari Zekiq tha se arsyeja se pse e kishin zgjedhur atë ishte se, gjatë procesit të identifikimit nga ana e të dëmtuarës nuk kishte qenë prezent avokati i tij mbrojtës.

Ndryshe, në këtë seancë në cilësinë e dëshmitares okulare u dëgjua edhe e dëmtuara Ilirida Shoshi, e cila kishte prezent në ditën kritike gjatë grabitjes në shtëpinë e saj.

Shoshi  shpjegoi si kishte rënë zilja në shtëpinë e saj dhe pasi kishte hapur derën kishte parë një person me armë në dorë duke thënë “qiti paret”, të cilin e identifikoi se kishte qenë i akuzuari Xhavit Berisha.

Ndërsa personin i cili kishte hyrë në shtëpi pas të pandehurit Berisha, me sakicë në dorë, e identifikoi se ishte i pandehuri tjetër Exhevit Zekiq.

“Exheviti ka qenë me sëpate në dorë kurse Xhaviti ka qenë me revole duke ma drejtuar gjatë gjithë kohës dhe më ka kërcënuar. Më kanë detyruar të kontrolloi komodinat dhe të nxjerri paratë në komodinën e dhomës së babait”, tha dëshmitarja Shoshi.

I akuzuari Xhavit Berisha, pas ballafaqimit me të akuzuarin Zekiq tha se asnjë familjar i të dëmtuarit Agim Shoshi nuk është i përfshirë në këtë rast përveç një punëtori i cili punon në depon e të dëmtuarit.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më, 2 tetor 2019, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 29 janar 2019, të pandehurit veç e veç, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin kryer grabitjen në shtëpinë e të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 14 dhjetor 2018, Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiqi, akuzohen se më 23 korrik 2018, rreth orës 11:30, në fshatin Kashicë të Istogut, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, kishin kryer grabitjen nën kanosje serioze ndaj të dëmtuarve Ilirada Shoshi dhe Edona Lajqi.

Sipas aktakuzës, pasi të pandehurit sigurohen se meshkujt kanë dalë nga shtëpia, shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit Agim Shoshi dhe i bien ziles së derës së shtëpisë.

Në momentin kur Ilirida Shoshi e hapë derën, i pandehuri Xhavit Berisha ia drejton armën dhe e shtynë derën me forcë dhe futet brenda duke hyrë pas tij edhe i pandehuri Exhevit Zekiqi me sëpatë në dorë.

I pandehuri Berisha, më pas e kap të dëmtuarën për flokë dhe nën drejtimin e armës e detyron të shkojë t’ia jep paratë e prindërve në shumë prej 50 mijë euro, gjersa i pandehuri Zekiqi, me sëpatë në dorë e kërcënon të dëmtuarën Lajqi se do tua heqë kokën asaj dhe fëmijës së saj nëntë muajsh, dhe ia merr një orë dore dhe dy celularë të tipit “Iphone 6” dhe “Iphone 7”, në vlerë prej 1.800 euro.


(Kosova Sot Online)