Avokati: Bashkim Lajqi s’është arrestuar e as ekstraduar, ai ka udhëtuar vullnetarisht në Zvicër

  • 16 July 2019 - 18:34
Avokati: Bashkim Lajqi s’është arrestuar e as ekstraduar, ai ka udhëtuar vullnetarisht në Zvicër

Dje në media u raportua se është arrestuar dhe ekstraduar nga Kosova për në Zvicër, Bashkim Lajqi. Avokati i tij, përmes një reagimi po thotë se ai nuk është arrestuar në Kosovë, por, është kthyer në Zvicër në mënyrë vullnetare.

Përmes një reagimi, avokati i tij po thotë se lajmet janë të pavërteta dhe se Bashkim Lajqi nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar e as ska pasur ndonjë procedurë ekstradimi.

“Nën përgjegjësi të plotë penale, profesionale dhe etike, më lejoni të ju njoftojë se Bashkim Lajqi asnjëherë nuk ka qenë i arrestuar ose ka pasur ndaj tij ndonjë procedurë ekstradimi. Ai kurrë në Kosovës nuk është arrestuar por është kthyer në Zvicër në mënyrë vullnetare”, ka shkruar avokati i tij, e duke dërguar një foto të një bilete që mban emrin e mbiemrin e Lajqit, tha se në këtë mënyrë dëshiron të vërtetojë se udhëtimi u bë vullnetarisht.

Në media u raportua se Lajqi është kapur në Pejë, e është ekstraduar menjëherë në Zvicër.

I njëjti ka qenë i shpallur në kërkim nga autoritetet zvicerane për vrasjen e Selim Elshanit e ndodhur në maj të vitit 2013 në Friburg të Zvicrës.

Lajqi ishte në arrati që një kohë ndërsa sot është dërguar në burg për të vuajtur dënimin. Lajqi ka qenë në burg që nga gushti i vitit 2013, por që kishte arritur të ikë nga burgu.

Mediat zvicerane njoftojnë se kapja e Lajqit ka qenë një operacion profesional policor ndërkombëtar, i udhëhequr nga Drejtoria e Sigurisë dhe Drejtësisë në Freiburg.


(Kosova Sot Online)