S’ka më pare për ekipin antikushtetues të Limajt e Ahmetit

  • 16 July 2019 - 20:01
S’ka më pare për ekipin antikushtetues të Limajt e Ahmetit

Qeveria e Kosovës pritet që në mbledhjen e së enjtes të anulojë vendimin për financimin e ekipit antikushtetues të dialogut.

Në sallën ku mblidhej ekipi shtetëror negociator ka kohë që nuk mbahen takime. Kjo pasi që stafi teknik i ekipit negociator për bisedimet me Serbinë, tashmë është shpërberë.

Në këto zyre që ishin ndarë në Ministrinë e Disaporës për stafin administrativ të ekipit negociator, tashmë janë kthyer zëvendësministrat e këtij dikasteri.

Ky ekip nuk është më funksional pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që Ligjin për Detyrat dhe Përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror, e shpalli në tërësi antikushtetues.

Por, paraprakisht këtij Ekipi, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë edhe mjetet financiare për funksionimin e tij.

Sidoqoftë, nga shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara në vlerë prej 300 mijë eurosh, për aq kohë sa ka funksionuar, janë shpenzuar mbi 43 mijë euro.

Sipas Ilir Cacaj, i cili ishte emëruar si zëvendëskoordinator i zyrës administrative të Delegacionit shtetëror për bisedime, mbi 22 mijë euro janë shpenzuar për udhëtime.

Më shumë se 3 mijë e 400 euro janë shpenzuar për akomodim dhe ushqim.

Mbi 17 mijë euro janë shpenzuar për paga të punëtorëve në zyrën administrative, në muajin prill dhe maj.

Ndërsa, sipas Cacajt, financat për këtë ekip janë ndalur që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

(Kosova Sot Online)