Zbulohen me emra personat: Ja kush po e mban gjallë projektin serbo-rus për ndarjen e Kosovës

  • 17 July 2019 - 07:37
Zbulohen me emra personat: Ja kush po e mban gjallë projektin serbo-rus për ndarjen e Kosovës

“Deklarata e ish ambasadorit të Shqipërisë në OKB Agim Nesho, i cili pas deklaratave të kryeministrit maqedonas për planin e ndarjes së Kosovës dhe rishikimit të kufijve në Ballkan thotë se edhe Edi Rama është pjesë e projektit Thaçi–Vuçiq për ndarjen e Kosovës, është tregues se nuk ka vdekur në tërësi plani i ndarjes i treshes Thaçi-Vuçiq-Rama me ndërmjetësimin e Baton Haxhiut”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”

Analisti politik, Florim Zeqa e ka parë si shumë serioze deklarimin e ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, i cili pas deklaratave të kryeministrit maqedonas për planin e ndarjes së Kosovës dhe rishikimit të kufijve në Ballkan, thotë se edhe Edi Rama është pjesë e projektit Thaçi–Vuçiq për ndarjen e Kosovës.

Image

Sipas analistit Zeqa, me kalimin e kohës, vetëm sa po dekonspirohet hap pas hapi plani kriminal i prodhuar në Serbi dhe i përkrahur në Rusi, që mori goditje vdekjeprurëse nga fuqitë e mëdha evropiane si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, të cilat jo vetëm nuk e pranuan planin, por nëpërmjet Samitit të Berlinit u përpoqën të jepnin edhe një zgjidhje racionale në rikthimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.

Sidoqoftë, Zeqa konsideron se rreziku akoma nuk ka kaluar, kurse opozita kosovare nuk duhet të heshtë.

“Deklarata e ish ambasadorit të Shqipërisë në OKB Agim Nesho, i cili pas deklaratave të kryeministrit maqedonas për planin e ndarjes së Kosovës dhe rishikimit të kufijve në Ballkan thotë se edhe Edi Rama është pjesë e projektit Thaçi–Vuçiq për ndarjen e Kosovës, është tregues se nuk ka vdekur në tërësi plani i ndarjes i treshes Thaçi-Vuçiq-Rama me ndërmjetësimin e Baton Haxhiut. Prandaj, si i tillë, ai plan famëkeq paraqet rrezik permanent për ndarje të Kosovës dhe destabilizimin e rajonit me përmasa tragjike. Deklarimi i ish ambasadorit të Shqipërisë në OKB Agim Nesho dekonspiroi edhe më tej plani kriminal të prodhuar në Serbi dhe i përkrahur në Rusi”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, përkundër faktit që ky plan mori goditje nga fuqitë e mëdha evropiane si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, ai plan po riaktualizohet kohë pas kohe nga vasalët e Serbisë, Thaçi e Haxhiu në Prishtinë dhe Rama në Tiranë.

“Prandaj këtu do të duhej të fokusohet akoma më shumë veprimi kundërshtues i opozitës kosovarë për ta pamundësuar vazhdimin e dialogut nga ata që e përkrahin planin e tillë, sepse avantazhi është i madh pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për ekipin negociator, dhe të mos vrapojnë vetëm pas interesave të tyre partiake e elektorale për pushtet.

Edhe përkundër faktit që Gjykata kushtetuese e Kosovës shkoi në të njëjtën linjë me fuqitë evropiane, duke e shpallur kundër-kushtetuese krejt procesin e deritanishëm të agjendës së dialogut së bashku me ligjin dhe ekipin për bisedime, partitë opozitare janë duke e heshtur këtë skandal shkaku angazhimeve elektorale në procesin e brendshëm zgjedhor (LDK) dhe fushatës para elektorale (LVV). Siç duket partitë opozitare, ambicia e madhe për pushtet i ka bërë që të harrojnë në tërësi interesin shtetërorë dhe fatin e vendit, duke e lënë edhe më tutje të lirë të veprojë Hashim Thaçin dhe mbështetësit e idesë vrastare për Kosovën”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)