Dorëzohet në Kuvend peticioni kundër homologimit të veturave

  • 17 July 2019 - 10:12
Dorëzohet në Kuvend peticioni kundër homologimit të veturave

Në Kuvendin e Kosovës po dorëzohet peticioni përmes së cilit po kërkohet që të ndërpritet homologimi i veturave

Atë tashmë e kanë nënshkruar mbi 10 mijë persona, peticion ky që është zhvilluar online.

Peticioni ka nisur nga ekonomisti Hekuran Murati, pas debatit në parlamentin e Kosovës për homologimin e automjeteve, ku po kërkohet që t’i jepet fund obligimit për homologim.

Murati tha se ky peticion ka bashkuar të gjithë qytetarët të cilët po kërkojnë që të mos plaçkiten përmes homologimit, të cilin e ka quajtur të panjevojshëm.

“Këtë peticion e kanë nënshkruar më shumë se 10 mijë qytetarë. Është nënshkruar në më pak se 3 javë. Ne si qytetarë kemi një kërkesë, homologimi të hiqet në tërësi, sepse është një plaçkë. Aty s’bëhet homologim, vetëm krahasim i të dhënave që janë në librezë. Kjo kompani s’bën asgjë tjetër përveç asaj që e bën edhe dogana”, ka thënë Murati.

Në këtë peticion thuhet se prishja e monopolit nuk mjafton, por është duke u kërkuar që parlamenti të ndryshojë Ligjin për Automjete.

(Kosova Sot Online)