Kapet hajni që dyshohet se po e çmontonte autostradën “Ibrahim Rugova”

  • 17 July 2019 - 10:48
Kapet hajni që dyshohet se po e çmontonte autostradën “Ibrahim Rugova”

Policia e Kosovës e ka kapur në flagrancë një të dyshuar për vjedhjen e mbrojtëseve anësore të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Ai është kapur nga një veturë patrulluese e Njësisë për Kontroll të Autostradave.

“Ju informojmë se me datën 17 korrik 2019 rreth orës 03:45 Njësia për Kontroll të Autostradave e PK-së gjatë realizimit të detyrave në terren kanë vërejtur një automjet të dyshimtë, me ç‘rast kanë ndaluar një person të dyshimtë për vjedhje të mbrojtësve anësorë të autostradës “Dr. Ibrahim Rugova”. I njëjti është arrestuar nga njësia patrulluese ku është konfiskuar si dëshmi edhe mjeti (furgoni)”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Atij i janë kapur një sasi e konsiderueshme e copave të metalit, shumicën e të cilave i kishte ngarkuar në furgonin e tij.

“Vlen të theksohet se në vend të ngjarjes janë gjetur 88 copa të metalit, ku 61 prej tyre i kishte pasur të ngarkuara në furgon ndërsa të tjerat ishin në ngarkim e sipër”, thekson komunikata.

Ndërkohë Policia tregon se dy ditë më parë kompania për mirëmbajtjen e autostradës kishte njoftuar se ishte kryer vjedhje në lokacionin e njëjtë.

“Po ashtu dy ditë më parë me datën 15.07.2019 Policia ka pranuar informata nga kompania për mirëmbajtje për një vjedhje të njëjtë në të njëjtin lokacion, ku edhe është hapur rast për vjedhje dhe i njëjti është iniciuar për hetime të mëtejme. Policia e Kosovës vazhdon me realizimin e detyrave konkrete dhe identifikimin e kryerësve të veprave penale dhe atyre të cilët shkaktojnë kundërvajtje, në veçanti mbetemi të përkushtuar në luftimin e të gjitha veprimtarive të kundërligjshme të cilat në një formë apo tjetër rrezikojnë sigurinë e përgjithshme të qytetarëve tanë, duke përfshirë edhe sigurinë rrugore”, përfundon komunikata.

Image

 

(Kosova Sot Online)