Denoncimi i rëndë: Kjo është loja e radhës për mashtrimin e kosovarëve dhe ndërkombëtarëve

  • 17 July 2019 - 13:26
Denoncimi i rëndë: Kjo është loja e radhës për mashtrimin e kosovarëve dhe ndërkombëtarëve

“Unë mendoj se institucionet e drejtësisë në Kosovë janë të ndikuara thellësisht nga politika prandaj edhe ato bëjnë politikë. E kur e them se bëjnë politik mendoj duke e ilustruar me argumentin se për të mos realizuar asnjë veprim në zbatimin e ligjit shpikin strategji të reja vepruese”, tha profesor, Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe të së drejtës në Kosovë vazhdojnë të alarmojnë për mungesën e shtetit të së drejtës në Kosovë, ku në vend të ligjit sundon anti ligji, ku politika e inkriminuar dhe grupet e interesit të nëntokës kriminale, kanë prodhuar një sistem, i cili në vend që të prodhojë drejtësi dhe siguri juridike, është shndërruar në mekanizëm persekutimi për individë të caktuar, por edhe si dhe mjet efikas për të ofruar pa ndëshkueshmëri dhe amnisti për zyrtarë të caktuar brenda sistemit të drejtësisë, politikës dhe nëntokës kriminale. Kështu e vlerëson këtë gjendje edhe profesori i njohur, Jeton Kelmendi.

Për të vazhduar këtë lojë të mbrojtjes së krimit, Kelmendi thotë se politika dhe drejtësia shpikin dita ditës edhe institucione të reja brenda sistemit të drejtësisë, kinse për të rritur veprimin efikas, sikur u vepruar së fundi me krijimin e Departamentit Special brenda Gjykatës themelore të Prishtinës.

Image
Jeton Kelmendi

“Unë mendoj se institucionet e drejtësisë në Kosovë janë të ndikuara thellësisht nga politika prandaj edhe ato bëjnë politikë. E kur e them se bëjnë politik mendoj duke e ilustruar me argumentin se për të mos realizuar asnjë veprim në zbatimin e ligjit shpikin strategji të reja vepruese ose themelojnë agjenci të reja për shtimin e kapaciteteve. Kështu kanë vepruar së fundi, para ca ditësh, edhe me themelimin e j departamenteve apo drejtorateve të reja, speciale kundër krimit dhe korrupsionit, rasti më i freskët me atë në kuadër të Gjykatës themelore të Prishtinës që nuk është asgjë tjetër veç se një tentativë shtesë për të ikur nga përgjegjësia e zbatimit të ligjit dhe të ballafaqimit me krimin e organizuar”, tha Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ai ka shtuar se improvizimet e tilla bëhen me bekimin e Ministrisë së Drejtësisë në bashkë koordinim me KPK-në dhe KGJK-në. 

“Pra kjo është një lojë që shërben vetëm për t’i mashtruar dy palë, qytetarët e Kosovës dhe ndërkombëtarët kinse tani jemi më të përgatitur profesionalisht dhe gjithsesi do të jemi edhe shumë më efikas. Këta duan të ju thonë ndërkombëtarëve se ja ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që me mekanizmat e ri ti kundërvihemi luftës kundër krimit e korrupsionit, por kjo nuk është gjë tjetër vetëm një lloj farse politike e ndërtuar në bashkërendim të politikës së inkriminuar me drejtësinë”, deklaroi Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Stoqet e prokurorive dhe gjykatave, sipas Kelmendit, janë të mbushura me plot raste të profilit të lartë të krimit e korrupsionit, edhe pse eksitojnë të gjithë mekanizmat e duhur që të merren me secilin rast, por politika po e benë të vetën sepse edhe vetë është e zhytur në krim dhe nuk mund të veprojë kundër vetvetes.

“Pra është shumë e vërtetë që Kosova për këto 20 vjet ka arritur ti ndërton mjaftueshëm të gjitha departamentet dhe drejtoratet e pajisura edhe me bazë ligjore për luftimin e krimit dhe korrupsionit, dhe as që ka nevojë të improvizohet e të formohen akoma mekanizma të ri kinse për ta luftuar këtë fenomen. Por këto që janë duhet të kryejnë punën e tyre që nuk po e bëjnë tash për tash, por që nuk e bëjnë sepse për ta kryer punën e tyre këto institucione ekzistuese duhet të ja nisin pastrimit nga koka e institucioneve të shtetit. Këtë punë tani nuk mundë ta kryen drejtësia ekzistuese sepse kemi disa zyrtar në drejtësi të cilët janë të deleguar atje nga partitë politike me mision të caktuar dhe janë avancuar në drejtësi prandaj është normale në këtë shtet jo normal që këta njerëz pastaj kurrë nuk do të marrin guximin që të fillojnë dhe ti ndjekin ish shefat e vetë”, përfundoi profesor, doktor, Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)