Dy shtetas të Shqipërisë bëjnë kërdi në Kosovë dhe ikin, policia në kërkim të tyre

  • 17 July 2019 - 13:48
Dy shtetas të Shqipërisë bëjnë kërdi në Kosovë dhe ikin, policia në kërkim të tyre

Policia e Prizrenit është në kërkim të dy personave shtetas të Shqipërisë, të dyshuar për dëmtim të pyjeve, sulm ndaj personave zyrtarë si dhe kalim ilegal të kufirit Kosovë-Shqipëri.

Rasti ka ndodhur të martën, ku dy zyrtarë të Agjencisë Pyjore të Kosovës po kryenin punën e tyre në zonën e fshatit Orqushë të Dragashit, kanë vërejtur se dy persona po dëmtonin pyllin.

“Sapo personat zyrtarë kanë kërkuar t’i legjitimojnë të dyshimtit njëri nga ata duke e sulmuar me thikë rojën e pyllit i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili me urgjencë është dërguar në qendrën e mjekësisë familjare në Dragash dhe më pas në Spitalin Rajonal në Prizren. Viktimat e këtij rasti janë persona zyrtarë të cilët janë sulmuar në kryerje të detyrës”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Prizrenit. 

Të dyshuarit janë shtetas të Shqipërisë, ndërkaq bëhet e ditur se përveç dëmtimit të pyjeve ata kanë kryer edhe veprime tjera në kundërshtim me ligjet.

“Të dyshimtit D. H. , shtetas nga Shqipëria i lindur në vitin 1999 dhe D. H., po ashtu shtetas nga Shqipëria i lindur me 2001, përveç dëmtimit të pyjeve kanë kryer edhe veprime tjera në kundërshtim me ligjet, duke kaluar kufirin në mënyrë ilegale, ku kanë sulmuar dhe kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore ndaj personave zyrtarë dhe të njëjtit kanë arritur të largohen në territorin e Republikës së Shqipërisë”, theksohet në komunikatë.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë të Shqipërisë ka arritur të mësojë identitetin e personave të dyshuar, ndërkaq ende nuk ka arritur t’i arrestojë.

(Kosova Sot Online)