Deputeti i VV-së tregon kur do ta rrëzojnë Haradinajn: Ky do të jetë koalicioni i ardhshëm

  • 17 July 2019 - 15:53
Deputeti i VV-së tregon kur do ta rrëzojnë Haradinajn: Ky do të jetë koalicioni i ardhshëm

Krejt këto institucione Gjykata Kushtetuese i ka nxjerr pa legjitimitet dhe mocioni do të ishte i drejtë që të bëhet në këtë kohë, por për shkaqe të faktorëve që dihen, që LDK është në zgjedhje, me siguri që po bartet për fillimin e vjeshtës”, tha Lajqi për “Kosova Sot Online”.

Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur vetëm edhe dy javë punë deri në fund të këtij sesioni, për të shkuar në pushime të verës dhe për tu rikthyer pastaj në sesionin vjeshtor.

Ligjvënësit kosovarë pritet që edhe këtë sesion ta mbyllin në qetësi, pa e proceduar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, të cilin planifikojnë ta aktivizojnë në vjeshtë, në muajin shtator ose në tetor, varësisht nga zhvillimet politike.

Image
Ali Lajçi

Këtë opsion më realin e ka pranuar si punë të kryer edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajqi.

Kjo shtyrje e mocionit për sesionin e vjeshtës, sipas Lajqit, po ndodhë për shkak se partneri tjetër në opozitë, LDK-ja është akoma duke u ballafaquar me procesin e brendshëm zgjedhor, proces që sipas kësaj dinamike pritet të përmbyllet në muajin gusht me zgjedhjen e lidershipit të ri partiak.

Lajqi tha për “Kosova Sot Online” se sa i takon gatishmërisë së LVV-së mocioni i mosbesimit do të duhej proceduar që në seancën e radhës, mirëpo rrethanat janë krijuar të atilla që po e imponojnë shtyrjen e tij deri në fillimin e sesionit të vjeshtës.

“Po ta shikonim në planin e përgjithshëm politik e funksional të qeverisjes së institucioneve të Kosovës, ato kana degraduar kaherë, sidomos tani edhe kuvendi që është në kolaps, dhe ku degradim i Kuvendit e ka bazamentin që prej votimit të atij variantit të dëmshëm të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sepse aty filloi denigrimi dhe dështimi i këtyre institucioneve në mbrojtjen e integritetit dhe të sovranitetit të shtetit të vetë. Edhe menaxhimi i pjesës tjetër të qeverisjes deri më tani është përcjellë në mënyrë shumë skandaloze, klanore dhe kundër kushtetuese. Me këto interpretimet të cilat ju bënë edhe grupit negociator nga Gjykata Kushtetuese, faktikisht Qeveria vetë do të duhej të dorëhiqej së bashku me presidentin, sepse përgjegjësia kushtetuese në këtë rast bije mbi të gjitha institucionet, duke përfshirë këtu edhe kuvendin. Krejt këto institucione Gjykata Kushtetuese i ka nxjerr pa legjitimitet dhe mocioni do të ishte i drejtë që të bëhet në këtë kohë por për shkaqe të faktorëve që dihen, që LDK është në zgjedhje, me siguri që po bartet për fillimin e vjeshtës”, tha Ali Lajqi për “Kosova Sot Online”.

Deputeti i VV-së ka folur edhe për koalicionin që do të mund të krijohej në të mirë të qeverisjes së vendit pas zgjedhjeve të vjeshtës.

Sipas tij, opsioni më real dhe më i pranueshëm që do të ishte efikas për të luftuar krimin e korrupsionin, do të ishte koalicioni VV-LDK, pa përjashtuar edhe ndonjë subjekt tjetër politik, por gjithmonë me një program që do ta kishte bazë programin e VV-së të harmonizuar me programet e partnerëve të tjerë në qeverisjen e re të vendit.

“Qëllimi kryesor i zgjedhjeve duhet të jetë për ndryshimin e gjendjes në Kosovë, për një gjendje krejt të re dhe më të favorshme e që varet nga vota e qytetarëve të republikës por edhe koalicionet do ti përcakton koha, do të shihet se kush do të del i pari, edhe pse do të ketë kombinime parazgjedhore etj të cilat i përdorin disa grupe të vogla për tu inkorporuar në sistem me dosar programesh klanore. Mirëpo kësaj here kishte me qenë në interes që të shkohet me vëmendje drejtë ndryshimit për një shtet ligjor dhe ardhmëri më të mirë. Kemi bashkëpunim të mirë në Kuvend dhe në format tjera me LDK-në, dhe janë kushtet e mundshme për të qeverisur bashkë në përgjithësi por do të shihet se si do të jetë kompozimi i asaj qeverisje dhe harmonizimi i programeve për ndryshime që duhet të jetë qëllim parësor”, përfundoi deputeti i VV-së, Ali Lajqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)