Kështu Ahmeti po e shantazhon Mustafën për rrëzimin e qeverisë: Ja dy kushtet e PSD-së

  • 17 July 2019 - 17:44
Kështu Ahmeti po e shantazhon Mustafën për rrëzimin e qeverisë: Ja dy kushtet e PSD-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kohë që ka paralajmëruar mocionin për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

E duke ditur se LDK ka nevojë për votat e PSD-së së Shpend Ahmetit për rrëzimin e qeverisë, kjo e fundit ka nisur ta zhantazhojë LDK-në.

Sipas burimeve brenda LDK-së, Shpend Ahmeti i ka vendosur dy kushte Isa Mustafës në mënyrë që deputetët e tij ta japin votën pro rrëzimit të qeverisë.

Sipas burimeve, kushti i parë ka të bëjë me garancinë që LDK do ta marrë PSD-në e Shpend Ahmeti në qeverisjen e ardhshme, dhe kushti i dytë është që PSD të jetë në koalicion parazgjedhor me LDK-në, pra të kandidojnë në një listë të përbashkët zgjedhore.

“PSD nuk do ta votojë rrëzimin e Qeverisë pa marrë garancinë nga LDK. Duan që të garojnë në një listë me LDK, ku të paktën i kërkojnë 20 emra në këtë listë të përbashkët zgjedhore dhe garancinë se do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, ka thënë ky burim brenda LDK-së.

“Kosova Sot Online”, ka provuar të kontaktojë me deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata nga PSD, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

E kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Shpend Ahmeti për interesa personale të tij shantazhon liderët politikë në vend.

Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me Ramush Haradinajn, ku me votat e PSD-së, u miratua buxheti i Kosovës dhe Haradinaj mbeti në postin e kryeministrit. E si shpërblim për këtë, Ahmeti mori udhëheqjen e të ashtuquajturit ekip negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë, në të cilin rehatoi militantët dhe familjarët e tij, por që këtë luks ua ndali Gjykata Kushtetuese e cila e shpalli antikushtetues këtë ekip.

(Kosova Sot Online)