Haradinaj kërkon anëtarësi në bastionin e vetëm të Fatmir Limajt

  • 17 July 2019 - 18:26
Haradinaj kërkon anëtarësi në bastionin e vetëm të Fatmir Limajt

Pak ditë pasi që në partinë e kryeministrit dolën disa persona nga Nisma Socialdemokrate, përfshirë këtu edhe ish-ministrin Bajram Hasani, kreu i Aleancës Ramush Haradinaj ka kërkuar votë edhe në bastionin e vetëm që ka partia e Fatmir Limajt, në të njejtën ditë kur me të kreu disa vizita në Komunën e Malishevës.

Përmes një publikimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se në sajë të vizitës në Malishevë, sot është takuar edhe me strukturën e degës së AAK-së në këtë komunë.

“Besimi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës po rritet edhe në Malishevë dhe interesimi për ta përqafuar programin e saj është i madh”, ka shkruar kryeministri.

I njejti po thotë se këtë konstatim e ka pas takimit me strukturën dhe me koordinatorin e AAK-së në këtë komunë, Fatmir Shurdhaj.

Sipas Haradinajt, qytetarët e Malishevës nuk do ta kenë të vështirë që të zgjedhin AAK-në.

“Ky konstatim i përbashkët doli nga takimi me strukturën e degës së AAK-së dhe koordinatorin e saj, Fatmir Shurdhaj. Qytetarët e Malishevës nuk do ta kenë të vështirë të zgjedhin AAK-në, duke qenë forca e duhur për vendime të mëdha, që i japin dinamikë të re forcimit të shtetit zhvillimor”, shkroi Haradinaj.

Kujtojmë që ditë më parë nga Nisma SocialDemokrate në AAK kanë aderuar disa persona, përfshirë këtu edhe ish-ministrin Bajram Hasani.


(Kosova Sot Online)