Vjen akuza e rëndë për Kadri Veselin: Ky është skenari mashtrues me këtë ministër

  • 18 July 2019 - 07:28
Vjen akuza e rëndë për Kadri Veselin: Ky është skenari mashtrues me këtë ministër

“Sistemi i funksionimit të PDK-së është kriminal, prandaj është e kotë që nga institucionet e shtetit të detyrohen të largohen, përjashtohen dy tre njerëz të dyshuar kinse për krim e korrupsion dhe të lihen në drejtimin e po atyre institucioneve të shtetit hiq më pak se 400 zyrtar të lartë shtetëror nëpër postet kyçe”, tha Burjani për Kosova Sot Online”.

Profesori universitar Blerim Burjani, njohës i fushës së të drejtës, ka reaguar ashpër kundër fushatës mashtruese që po zhvillojnë, sipas tij, ministri i drejtësisë Abelard Tahiri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i ri zgjedhur i PDK-së, Kadri Veselit.

Image

Sipas Burjanit, Veseli hapur po synon postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, e që të dy së bashku sikur në kor po flasin në opinionin publik kinse për fuqizimin e sistemit të drejtësisë dhe luftimin e krimit e të korrupsionit nga një qeveri e re e drejtuar nga PDK-ja.

Profesor Burjani thotë se është ky një skenar tragjikomik, të cilit më nuk i beson askush, as qytetarët brenda dhe as faktori ndërkombëtar, prandaj kjo përpjeke e tyre është e ndëshkuar për të dështuar sepse vetë PDK ka të instaluar në parti një sistem politik kriminal.

“Sistemi i funksionimit të PDK-së është kriminal, prandaj është e kotë që nga institucionet e shtetit të detyrohen të largohen, përjashtohen dy tre njerëz të dyshuar kinse për krim e korrupsion dhe të lihen në drejtimin e po atyre institucioneve të shtetit hiq më pak se 400 zyrtar të lartë shtetëror nëpër postet kyçe, duke filluar nga sekretaritë e ndryshme, drejtoratet e departamenteve dhe nëpër borde të ndërmarrjeve të ndryshme në nivel të gjithë vendit. Pra kjo është krejtësisht e dijshme prej të gjithë qytetarëve që ky subjekt politik nuk do të dekriminalizohet me fjalë bombastike e me premtime të përditshme mashtruese sepse edhe në pushtet kur kanë ardhur, kanë ardhur përmes rrugëve të kundërligjshme, Prandaj kur e shohim krejt të kaluarën dhe historikun e ngritjes së këtij subjekti politik, në politikë dhe në institucione, përmes rrugëve jo ligjore, atëherë del fakti sipas të cilit konstatohet se ky subjekt politik që ka kapur shtetin përben kërcënim serioz edhe për rendin kushtetues”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se shembulli më i freskët i kapjes së shtetit dhe institucioneve të drejtësisë nga skenari kriminal i subjektit politik PDK, është provimi i politizuar për noter.

“Provimi i noterisë dhe shumica e të përzgjedhurve janë që vijnë nga familjet e PDK-së prandaj kjo është e qartë se gjithçka është e koordinuar dhe programuar për të vazhduar kapja maksimale e shtetit”, deklaroi Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, qytetari duhet të jetë shumë i kujdesshëm në zgjedhjet e radhës, të mos jep votën për partitë politike që e kanë kapur shtetin, sepse vetëm duke votuar për ndryshime politike mund të shtohet gjasat edhe për ndryshime edhe në shtetin e së drejtës.

“Kosova është shteti kapur dhe kjo nuk ka nevojë fare për të dhënë më shumë sqarime apo konstatime. Problemi kryesor qëndron tek shteti i kapur nga krimi e korrupsioni që vjen kryekëput nga strukturat partiake e kriminale, andaj këtu nuk ka zgjidhje përveç diferencimit dhe ndëshkimi të parë të politikës përmes votës së qytetarit, dhe dekriminalizimit të shtetit nga ky subjekt politik uzurpator dhe kapës i shtetit që është në top formë dhe identifikohet i tëri më PDK-në. Prandaj fare nuk ka nevojë të merret askush me deklaratat e Kadrisë e as të Abelardit sepse kjo çështje është e dukshme, kjo çështje është e kryer dhe dihet fare mirë se këta vetë janë kapës të shtetit”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)