Kërkohet largimi i Thaçit: Ja dy njerëzit që janë shitur të Aleksandër Vuçiqi për ndarjen e Kosovës

  • 18 July 2019 - 07:37
Kërkohet largimi i Thaçit: Ja dy njerëzit që janë shitur të Aleksandër Vuçiqi për ndarjen e Kosovës

“Këtë plan edhe pse të kundërshtuar në masë të madhe nga Gjermania dhe Britania, nëse mund të thuhet edhe për Francën, po e mbajnë të gjallë dy njerëz, që për fat të keq janë në pozitat e larta shtetërore në Prishtinë dhe në Tiranë, siç është presidenti Thaçi dhe kryeministri Edi Rama. Dhe mbi këtë bazë Serbia po lobon akoma për planin e ndarje së Kosovës pasi për të ka gjetur bashkëbisedues në Prishtinë dhe Tiranë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Nexhat Haziri duke komentuar zhvillimet e fundit rreth përpjekjes së faktorit ndërkombëtar për t’i ulur edhe njëherë në bisedime zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, dhe duke pasur për bazë deklarimin e ish ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, konsideron se rreziku për të mbajtur gjallë dhe realizuar planin e ruso-serb të ndarjes së Kosovës nuk është tejkaluar, edhe pse shtetet kryesore me rol vendimmarrës në BE, nuk po e përkrahin atë.

Image

 

Sipas tij, janë politikanët shqiptar që kanë shitur interesat kombëtare tek Aleksandër Vuçiqi, Edi Rama e Hashim Thaçi, ata që akoma me argatët e tyre nuk e përjashtojnë si opsion të fundit edhe idenë e ndryshimit të kufijve.

“Plani serbo-rus për ndarjen e Kosovës në vija etnike, i përkrahur edhe nga Thaçi dhe Rama, gjoja në emër të një marrëveshje të ashtuquajtur historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo siç derivon nga ky plan në mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë, pasi një plan i tillë nuk e trajton Kosovën si shtet, akoma nuk është i hequr krejtësisht nga tavolina e negocimit. Këtë plan edhe pse të kundërshtuar në masë të madhe nga Gjermania dhe Britania, nëse mund të thuhet edhe për Francën, po e mbajnë të gjallë dy njerëz, që për fat të keq janë në pozitat e larta shtetërore në Prishtinë dhe në Tiranë, siç është presidenti Thaçi dhe kryeministri Edi Rama. Dhe mbi këtë bazë Serbia po lobon akoma për planin e ndarje së Kosovës pasi për të ka gjetur bashkëbisedues në Prishtinë dhe Tiranë dhe këtë po e përdorë si argument të fortë për ta zgjedhur çështjen e Kosovës sipas tyre me formulën askush mos të humbë, të dyja palët të fitojnë diçka”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, ai thotë se akoma ka hapësirë që opozita kosovare të jetë e zëshme dhe aktive në kundërshtimin e këtij opsioni të rrezikshëm.

“Dhe duhet të mos jetë kaq indiferente sepse si e tillë po e humbë edhe besimin e e qytetarëve në raport me veprimet e presidentit Thaçi i cili nuk do të ndalë së vepruari për ta realizuar planin serbo-rus që parasheh marrëveshje mbi bazën e ndarjes së Kosovës në vija etnike”.

Sipas Hazirit, tani topi është në fushë lojën e opozitës së bashku me qytetarët që të vazhdojnë zëshëm ta kundërshtojnë këtë opsion, duke kërkuar edhe largimin e presidentit nga pozita për shkak të skandalit që ka bërë.

“Ehe derisa nuk ka akoma bisedime konkrete nga palët, sepse duket që qeveria, kryeministri Haradinaj, nuk është aktiv në kundërshtimin me të zëshëm të këtij opsioni nga frika se mos e rrezikon pozitën e tij. Veprimet e presidentit nuk i ndal dot kryeministri Haradinaj, pasi për këtë të fundit është shumë më rendësi mbajtja e karriges së kryeministrit se sa çështjet jetësore të vendit, dhe duke parë këtë situatë, opozita do të duhej të reflektonte duke kundërshtuar idetë dhe veprimet anti-shtetërore të Thaçi me të gjitha format e veprimit, duke mobilizuar edhe qytetarët me protesta në rrugë deri në largimin jo vetëm të ideve anti-shtetërore të presidentit Thaçi, por edhe largimin e tij nga posti i presidentit të vendit”, përfundoi analisti politik, Nexhat Haziri për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)