Qëndrimi francez, kërkohet largimi dhe llogari nga Thaçi për tradhti kombëtare

  • 18 July 2019 - 07:41
Qëndrimi francez, kërkohet largimi dhe llogari nga Thaçi për tradhti kombëtare

“Mendoj, që tani është koha që të kërkohet llogari ligjore e kushtetuese nga presidenti Hashim Thaçi, i cili me vetëdije të plotë ishte futur në një lojë tepër të rrezikshme me përmasa të cilës nuk mundë ti vësh emër tjetër veç se tendencë për tradhti kombëtare”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa konsideron se pas vizitës së presidentit të Francës, Emanuel Macron në Beograd, lidershipi kosovar duhet të jetë shumë i vëmendshëm, i koordinuar dhe bashkuar në një platformë të pa ndryshueshme sa i takon vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, për të arritur një marrëveshje pajtimi e bashkëpunimi. Sipas tij, shteti francez përmes Macronit, tregoi seriozitetin e madh që ka karshi problemit shqiptaro-serb në Ballkan, e që duhet të jetë në funksion të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit si shtete të pa varura.

Image

“Kjo është edhe një dëshmi më shumë se politika franceze po i nënshtrohet gradualisht qëndrimit të ngurtë gjerman dhe anglez, si dhe shteteve tjera mike të Kosovës për të kundërshtuar përfundimisht opsionin ruso-serb të marrëveshjes Kosovë Serbi me projektin e ndarjes i cili do të çonte rajonin në një konflikt të ri dhe me përmasa të pa parashikueshme rajonale dhe evropiane e jo vetëm. Mendoj, që tani është koha që të kërkohet llogari ligjore e kushtetuese nga presidenti Hashim Thaçi, i cili me vetëdije të plotë ishte futur në një lojë tepër të rrezikshme me përmasa të cilës nuk mundë ti vësh emër tjetër veç se tendencë për tradhti kombëtare”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se me qëndrimin e tij të luhatur dhe kundër interesit të shtetit, Hashim Thaçi ka dëshmuar se nuk është njeri i politikës, andaj duhet të largohet.

“Prapa veprimeve të presidentit Thaçi dhe ngutisë së liderëve të korruptuar kosovarë në përgjithësi fshihet miopia politike, injoranca dhe mungesa e pragmatizmit politik, shantazhi politik dhe lakmia për privilegje personale. Më mirë të kemi edhe 100 vjet konflikt të ngrirë me Serbinë sesa me humbë veriun e çmuar të vendit, sikur që do të ishte më mirë të mbanim të hapur edhe për 100 vjet problemin e Demarkacionit me Malin e Zi, sesa që i humbëm 8 mijë e 200 hektarë për asgjë”, deklaroi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

“Kur jemi në këtë segment, përgjegjësia për dështimet e politikës kosovare nuk është krejt individuale, por është pak më e gjerë, është kolektive, për shkak se na ikën 8200 hektarë sikur të mos ishte tokë e jona, e tani e kemi akoma të rrezikuar veriun e vendit dhe asnjë reagim serioz i politikës kosovare, asnjë reagim i vendosur i qytetarëve dhe asnjë përpjekje serioze e partive politike, përveç reagimeve sporadike për konsum të brendshëm për qëllimet e tyre elektorale, e që kjo heshtje nuk duhet të vazhdon kështu por duhet të thyhet në mënyrë që të mos na kthehet bumerang”.

Për fund, ai thotë se është për tu përshëndetur qëndrimi i presidentit francez, Emanuel Macron.

“Prandaj, në këtë rast, edhe pse me tone të buta, duhet përshëndetur reagimin e presidentit francez, Emanuel Macron në Beograd, duhet vlerësuar si një ogur i mirë për zgjidhjen e drejtë të problemit 20 vjeçar në veri të vendit. Zgjidhjet që na vijnë nga jashtë, nuk janë çdo herë të përshtatshme, nganjëherë janë tepër të hidhura, por që janë rezultat i interesave strategjike të fuqive të mëdha dhe pasojë paaftësisë së politikanëve tonë”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)