Stoltenberg: Nëse Rusia nuk respekton traktatin do të reagojmë

  • 18 korrik 2019 - 08:55
Stoltenberg: Nëse Rusia nuk respekton traktatin do të reagojmë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se koha po mbaron për të shpëtuar një traktat kyç të raketave bërthamore me Rusinë. Ai premtoi një përgjigje “të matur dhe mbrojtëse” nëse Rusia nuk respekton marrëveshjen deri më 2 gusht.

Në një intervistë të gjerë me BBC, Stoltenberg tha se raketat ruse, të cilat pretendon se janë në “shkelje të qartë të traktatit”, janë të afta për shpërthim bërthamor, të lëvizshme, shumë të vështira për t’u zbuluar dhe në gjendje për të arritur qytetet evropiane brenda pak minutash. “Ne duhet të jemi të përgatitur për një botë pa traktatin e INF dhe me më shumë raketa ruse”, deklaroi ai.

Ndërkohë që NATO nuk ka plan për të vendosur raketa bërthamore me bazë në Evropë, Stoltenberg tha se aleanca do të përgjigjet në një “mënyrë të matur dhe mbrojtëse” nëse Rusia refuzoi të respektojë marrëveshjen deri më 2 gusht.

Marrëveshja e nënshkruar nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1987 ndalonte raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme.

Presidenti Trump njoftoi se SHBA do të tërhiqet nga Traktati i Forcave Bërthamore të Mesme (INF) në shkurt, duke akuzuar Rusinë për shkeljen e saj.

Rusia mohoi akuzat por pezulloi detyrimet e veta pak kohë më pas dhe njoftoi planet për zhvillimin e sistemeve të reja të armëve. 

(Kosova Sot Online )