Zyra e BE’së u thotë në sy deputetëve: Kuvendi s’po funksionin si duhet

  • 18 July 2019 - 13:32
Zyra e BE’së u thotë në sy deputetëve: Kuvendi s’po funksionin si duhet

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, është takuar me Komisionin për Integrime Evropiane, ku është diskutuar për Raportin për Vendin për vitin 2019.

Zëvendësshefi  i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se problemi më i madh që është paraqitur është mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës, mungesa e kuorumit dhe vonesat e seancave.

Sipas tij kjo ndikon negativisht në produktivitetin e punës së Kuvendit.

“Do ta vlerësoja Kuvendin që ka kaluar nëpër punë, raporti mbulon periudhën deri në mars gati 1 vit dhe gjatë këtij viti keni prodhuar shumë ligje, ka situatë të polarizuar në Kuvend ka çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Kuvendit, shpesh ka mungesë kuorumi, mungesa në votim të legjislacionit, mungesë e organizimit struktural kur ka të bëjë më thirrje të seancave Kuvendi nuk takohet për kohë të gjatë këto kanë ndikim në produktivitetin e Kuvendit”, tha Serri.

Ai tha se  Kosova duhet të krenohet me shoqërinë civile që ka pasi sipas tij është jashtëzakonisht shumë aktive.

“Roli i shoqërisë civile vërehet në Kosovë është aktive, roli që luan shoqëria civile është i rëndësishëm dhe kjo i ndikon në peizazhin e Kosovës kur ka liri të shprehjes dhe është pozitive dhe në krahasim me rajonin Kosova për këtë duhet të krenohet”, shtoi Serri.

 Në këtë raport Serri tha se është theksuar se janë kundër taksës 100 përqind të vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

 “Jemi kundër kësaj sepse minon përpjekjen e natyrës së përgjithshme për bashkëpunimin rajonal nuk është e qëndrueshme dhe është raportuar në raport”, tha Serri.

 Një problematikë tjetër që ai e përmendi është problemi me financat publike.

 “Ka problem me financa publike sepse ka një efekt të kundër në zhvillimin e vendit se si financat menaxhohen nganjëherë dhe kjo ka rrezik për bilancin e buxhetit të vendit edhe rritja e pagës në sektorin publik ka ndikim në sektorin privat”, tha ai.

 Deputeti i LDK-së Ismet Beqiri, tha se ata si opozitë nuk e kanë për detyrë që pozitës t’ia bëjë numrat për votim.

“Është bërë një lloj refreni i vazhdueshëm funksionimi i institucioneve tona. Seancat duhet me e pa kurrë nuk kryhet sen sic duhet. Ne jemi opozitë dhe nuk e kemi detyrë me e bë kuorumin”, tha ai.

Deputeti Milaim Zeka, tha se nuk është dashur që EULEX-it ti përfundojë mandati sepse sipas tij ka qenë 1 milionë herë më i mirë sesa prokuroria, gjykatat dhe policia e Kosovës.

“Zyra juaj duhet me qenë pak më reale se korrupsion ka pasur edhe nga ne po ka pasur edhe nga administrata e UNMIK, EULEX-it dhe normalisht që detyrat kryesore na takon neve t’i kryejmë. Shuarja e mandatit të EULEX është për mua diçka shumë negative. Sado i keq që ka qenë EULEX  është 1 milionë më i mirë sesa Prokuroria, gjykatat dhe Policia e Kosovës. E kam një këshillë se ju po flisni për rastet e shenjëstruara dhe mendoj se është presion ndaj gjykatave të Kosovës, se ju duhet t’i bëni presion presidentit, Këshillit Prokurorial që të gjejnë prokurorë të mirë. Aktakuzat në Kosovë që i bëhen çdo personi janë 90 përqind politike, nuk bëhen mbi bazën e provave, por në bazë të thirrjeve telefonike që thotë se gjuhuni atij apo asaj”, tha ai.

 Ai tha se i vjen turp që është pjesë e këtij Parlamenti, pasi sipas tij nuk është Kuvend se është komplet jofunksional. Ai tha se edhe kur votojnë e bëjnë vetëm formalisht.

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj, tja se Kosova po trajtohet e pabarabartë krahasuar me shtetet tjera.

“Trajtimi i Kosovës është goxha ndryshe, mos me e përdor terma të tjera për të mos thënë se po diskriminohemi, por po trajtohemi të pabarabartë. Taksën nuk e shohim një ngulfatje për të arritur një marrëveshje pasi nga Serbia nuk po shihet një vullnet për të arritur një marrëveshje. Kosova për shkak të Serbisë i është pamundësuar anëtarësimi në Interpol”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)