Analiza e fortë: PDK tronditet, ja pse LDK heziton ta rrëzojë Haradinajn, ky është koalicioni i ri zgjedhor

  • 18 July 2019 - 13:48
Analiza e fortë: PDK tronditet, ja pse LDK heziton ta rrëzojë Haradinajn, ky është koalicioni i ri zgjedhor

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës, si nga pozita qeverisëse ashtu edhe nga këndi opozitar janë të interesuar që sa më gjatë të mbajnë në këmbë Qeverinë Haradinaj, sepse, duan që sa më shumë të paguhen kot, por edhe të përfitojnë privilegje në të njëjtën kohë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online.

Ramiz Bojaj, analisti politik që jeton dhe vepron në SHBA, shtyrjen e vazhdueshme të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN nga opozita, nuk e sheh si problem të mungesës së votave, por më shumë si problem të mos gatishmërisë së vetë forcave politike opozitare që tani të shkohet në zgjedhje të shpejta e të parakohshme, ngase akoma nuk janë të konsoliduar dhe përgatitura sa duhet për tu ballafaquar me zgjedhje të reja, edhe pse koalicioni qeverisës ka dalë nga binarët funksional kaherë.

“Koalicioni Qeverisës ka kohë që është i çarë, por falë opozitës së çekuilibruar dhe të përgjumur vazhdon të qëndrojë në këmbë... Deputetët e Kuvendit të Kosovës, si nga pozita qeverisëse ashtu edhe nga këndi opozitar janë të interesuar që sa më gjatë të mbajnë në këmbë Qeverinë Haradinaj, sepse, duan që sa më shumë të paguhen kot, por edhe të përfitojnë privilegje në të njëjtën kohë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Image
Ramiz Bojaj

Humbësi më i madh në këto zgjedhje të radhës, sipas Bojajt, do të jetë PDK-ja.

“PDK-ja me aventurat e papërgjegjshme rreth çështjes së territorit të Kosovës, por edhe qëndrimet dinake për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, pastaj, marrëveshjet tinzare sipas koncepteve serbe e ruse, mund ta qojnë këtë parti në zgrip të ekzistencës së vet. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, tashmë janë vetë demaskuar, si njerëz joserioz dhe të papjekur, ku i gjithë patriotizmi i tyre ka qenë i rremë, premtimet e tyre mashtrime klasike, të cilët krejt në fund servuan projektin shokues për prerjen territoriale të Kosovës”, deklaroi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Hezitim për zgjedhje të reja të parakohshme, sipas Bojaj ka edhe në LDK.

“LDK-ja, po ashtu është në konsolidim e sipër, duke përshkruar mjaft skandale e përçarje të brendshme, që e bëjnë të pa qartë rreth ndërtimit të ndonjë kauzë tërheqëse, përderisa flirtrimi i saj me koalicionet e SHIK-ut e të PDK-së, gjegjësisht akomodimi i Thaçit e Veselit në postet kryesore të shtetit, mund ta rrënojnë fuqinë politike që ka kjo parti”, thekosi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Pa probleme madje nuk është as AAK-ja me qeverisjen e keqe.

“AAK-ja ka ndërtuar një kauzë për taksën, por aferat e mëdha të nepotizmit, militantizmit partiak e zhvatjes pa karar të parasë publike, Haradinajn e bënë që të ndihet i pa sigurt për të rikonfirmuar edhe një mandat, aq të dëshiruar, si kryetar qeverie edhe pas zgjedhjeve të reja”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Më komode dhe më e përgatitur për zgjedhje, sipas tij duket të jetë VV-ja që u pastrua me largimin e grupit të SHIK-ut- (PSD-ja e Shpendit). 

“Duket ky subjekt politik e ka komoditetin më të madh për të shkuar në zgjedhje, sepse, ky subjekt politik nuk ka qenë asnjëherë pjesë e asnjë pushteti qendror, bashkë rrënues, zhvatës, shkatërrues e kapës të sistemit shtetëror të Kosovës. VV-ja ka një program, ka një kauzë dhe ka një model, për raportet ndër fqinjësore me Serbinë, mandej ka një nxitje për luftën kundër krimit të organizuar, depolitizimin e sistemit të drejtësisë, ka prezantuar politika zhvillimore e sociale, hapje të reja të vendeve të punës etj”, ka theksuar Ramiz Bojaj.

Ndërsa, Bojaj thotë se NISMA e PEK janë flatra të PDK-së, të cilat, nuk duket se do të ketë aq peshë në këtë rang zgjedhor

. Sipas Bojat, pas zgjedhjeve të reja, koalicioni më i pritshëm dhe më i pranueshëm, që sado pak premton ndryshime është lidhja LDK-VETËVENDOSJE!

“Pavarësisht se kur do të mbahen, parashikohet qe pushteti absolut të kalojë tek Vetëvendosja, e cila mund të llogarisë në një koalicion të mundshëm me LDK-në, por ndoshta edhe me ndonjë grupim tjetër politik, i cili do të pajtohej me programin qeverisës të VV-së”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Ramiz Bojaj.

(Kosova Sot Online)