Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi dhe vrau 11 vjeçarin nga Fushë-Kosova

  • 18 July 2019 - 14:57
Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi dhe vrau 11 vjeçarin nga Fushë-Kosova

Një muaj paraburgim i është shqiptuar S.O, i dyshuar për dhunimin dhe vrasjen e 11 vjeçarit nga Fushë-Kosova.

Gjykata Themelore në Prishtinë , Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.Osmanit për shkak të veprave penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Dhunim’ të 11 vjeçarit në Fushë Kosovë.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit S.O. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit nga neni 187 par.1 nën par.1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, për faktin se nëse i pandehuri do të gjendej në liri i njëjti mund të ik, të fshihet me qëllim të shmangies nga procedura penale, mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, mund të ndikojë në dëshmitarë dhe ekziston rreziku i përsëritjes së veprës së njejtë apo të ngjashme penale. Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Media raporton se gjatë ditës së sotme edhe dy fëmijë, të komunitetit rom, janë intervistuar në stacionin e policisë në Fushë-Kosovë, në cilësinë e viktimave të cilët dyshohet se janë dhunuar seksualisht nga 20-vjeçari S.Osmani.

(Kosova Sot Online)