“Goditje” për Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin: Kështu e zhvatën buxhetin e shtetit

  • 18 July 2019 - 16:58
“Goditje” për Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin: Kështu e zhvatën buxhetin e shtetit

“Në pikëpamje të politikës financiare, të dëmit të kundërligjshëm që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, do duhej të fillonte procedura penale nga organi i rendit, i akuzës, në mënyrë që taksat e qytetarëve të mos shpërdorohen për interesa të individëve, të shkelen”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar ekipin negociator për bisedimet me Serbinë, si një përbërje politike kundër kushtetuese së bashku me ligjin për përgjegjësitë e këtij ekipi që ka bërë shpenzime koti në udhëtimet e zhvilluara pa mandat kushtetues dhe pa kompetencë, askush deri më tash në nivel të institucioneve nuk ka kërkuar përgjegjësi për buxhetin e zhvatur kot së koti nga ky ekip dhe stafi i tij mbështetës.

Lidhur me këtë, analisti politik, Arsim Haziri konsideron se këto para të qytetarëve të Kosovës duhet të rikthehen në buxhet nëpërmes rrugëve ligjore, qoftë edhe duke u nxjerr para gjyqit për shpërdorim të mjeteve të gjithë ata që kanë përfituar kundërligjshëm, pasi ky ekip doli të jetë formuar vetëm për pazare politike dhe për përfitime personale të Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt.

Image
Arsim Haziri

Sipas Hazirit këto para po harrohen që të përmenden dhe të kërkohet kthimi i tyre nga përfituesit e kundërligjshëm, pasi që Kosova është identifikuar kaherë si shtet i skandaleve të pa ndëshkueshme, e një skandal i tillë është edhe ky.

“Kosova është vend i skandaleve, ato shtrihen pothuaj në çdo dimension, prandaj Kosova është sinonim i një shteti të dështuar. Bartësit e përgjegjësive publike mjaftueshëm i kanë stagnuar politikat efektive nacionale. Sa i përket ekipit negociator rrugën të cilit ia shkëputi gjykata kushtetuese, konsideroj se ishte ekip jo i mirëfilltë dhe i pa substancë, madje me formën me të cilën e kanë shtyrë më tej, i ka nxjerrë mjaftueshëm të pa konsolidueshëm të gjithë pjesëmarrësit e tij . Mos konsolidimi i tyre ishte multi dimensional, prandaj u de legjitimua për shkak të rrezikut shumë marrëveshjeve të cilat priteshin të nënshkruheshin, e ku çështje e Kosovës sipas gjitha gjasave do të ishte në pozitë humbëse dhe minore”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, derisa ka qenë politika ajo që e ka shkelë kushtetutën, kjo politikë nuk do ta trajtojë këtë zhvatje të buxhetit, por me këtë duhet të merret drejtësia nëse dikush e inicion atë. 

“Në pikëpamje të politikës financiare, të dëmit të kundërligjshëm që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, do duhej të fillonte procedura penale nga organi i rendit, i akuzës, në mënyrë që taksat e qytetarëve të mos shpërdorohen për interesa të individëve, të shkelen”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Haziri nuk e heq fare dyshimin që ky ekip e ka shfrytëzuar kohën deri në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese vetëm për interesat personale e kliemteliste të përfitimit, ngase nuk ka pasur asgjë profesionale në punë dhe angazhimin e tij.

“Bartësit e ekipit të tanishëm, përpos që nuk kanë qenë profesional në relacion me çështjen, ata kanë qenë edhe të mbi ngarkuar me obligime tjera, duke përfshirë këtu edhe familjaritetin enormë. Andaj them me përgjegjësi, se Kosovës, fillimisht i kërkohen ndërrime dhe ndryshime, sepse kësisoj mund të përfaqësohet seriozisht shteti ynë”, përfundoi Haziri për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)