Përplasje të mëdha, koalicioni PAN drejt shkatërrimit? Ja skenari Thaçi-Veseli

  • 19 July 2019 - 07:42
Përplasje të mëdha, koalicioni PAN drejt shkatërrimit? Ja skenari Thaçi-Veseli

“As dallimet, as përçarjet e as përplasjet deri në shkallë verbale, nuk lëkundin pozitat e njëri-tjetrit, sepse ambiciet e tyre janë pushteti dhe vetëm pushteti me çdo kusht e me çdo çmim”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Përplasjet dhe akuzat në mes të partnerëve të koalicionit PAN, sidomos për çështjen e taksës, kanë vazhduar edhe gjatë kësaj jave, ku debatet në distancë në mes të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj kanë qenë të ashpra.

Image

E analisti politik, Ramiz Bojaj, duke përcjellë këto debate, ka thënë se tanimë këto zhvillime po i zbulojnë akoma më shumë dallimet e mëdha dhe përçarjet që mund ta ndërpresin shpejtë jetëgjatësinë e brishtë dhe jo funksionale të koalicionit PAN.

Sipas tij, kanë mbetur vetëm interesat e ngushta personale për të qenë në pushtet nga individët kryesorë që po e mbajnë në jetë këtë koalicion të interesit kriminal.

“Dallimet e mëdha në koalicionin e PAN-it, edhe pse janë të pakapërcyeshme, sidomos rreth taksës dhe avancimit të planit të ndarjes së Kosovës, kanë rrënuar tej mase imazhin dhe seriozitetin e shtetit. Njëri arsyeton vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe, tjetri alarmon për heqjen e saj. Njëri mbron kufijtë e shtetit të Kosovës, tjetri kërkon përkrahje të fortë për arritjen e “ujdisë” me Beogradin për të konkretizuar synimet e Serbisë, në mënyrë qe kjo të kapë sa më shumë territor të vendit tonë. Ky është mjerim politik e diplomatik, shumë i dëmshëm për vendin”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Bojajt, këtë koalicion të marrëzisë po e mban në jetë vetëm dëshira për të qenë në pushtet dhe zhvatur.

“Përkundër këtyre qëndrimeve diametralisht të kundërta, krye kuvendarin Kadri Veselin e SHIK-PDK-së dhe kreun e Qeverisë, Ramush Haradinajn e AAK-së, i bashkon vetëm një gjë: dashuria e pafund për pushtet. As dallimet, as përçarjet e as përplasjet deri në shkallë verbale, nuk lëkundin pozitat e njëri-tjetrit, sepse ambiciet e tyre janë pushteti dhe vetëm pushteti me çdo kusht e me çdo çmim. Edhe pse fërkimet e fundit në SHBA në mes të Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, në dukje të parë të pakapërcyeshme, në fakt, kjo nuk është e tillë. Për aq kohë sa nuk rrezikohen pozitat e pushtetit të Haradinajt e Veselit, të gjitha përplasjet do të tejkalohen”, theksoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

E nëse opozita nuk arrin ta rrëzojë këtë koalicion të së keqes, ai thotë se as edhe cenimi i tërësisë territoriale të Kosovës nga udhëheqësit e lartë shtetëror të ardhur nga SHIK-PDK-ja, Thaçi-Veseli, nuk e rrënojnë këtë koalicion pa asnjë parim e pa asnjë përgjegjësi por me ego pushteti.

“Megjithatë Kadri Veseli, sikurse edhe Hashim Thaçi po tentojnë t'i bëjnë gropën kryeministrit Haradinaj, por meqenëse edhe pushteti i duetit Thaçi-Veseli, është i varur nga Haradinaj, këta nuk janë të interesuar qe ta rrëzojnë këtë nga posti i kryeministrit, por qëllimi i tyre është diskreditimi i kreut të Qeverisë dhe futja në lak, në mënyrë qe të hiqet taksa ndaj produkteve serbe e të arrihet sa më shpejt marrëveshja e fshehtë Thaçi-Serbi, për ndarjen e Kosovës”.

“Kjo është taktikë konspirative e kriminale e SHIK-ut në raport me partnerët e vet, si në të kaluarën ashtu edhe sot. PDK-SHIK, ka për qëllim denigrimin e partnerit qeverisës dhe të përfitojë për vete përkrahje më të madhe ndërkombëtare, pavarësisht dëmit të madh që mund t'i sjellin shtetit të Kosovës. PDK-ja është dëshmuar si parti e kurtheve, tradhtisë, konspiraconeve, shantazheve e linçimeve për të ruajtur kupolën e pushtetit të vet piramidal, korruptiv e kriminal”, tha analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Prandaj, sipas Bojajt ky koalicion duhet të bjerë sa më parë, ndërkaq, koalicionet e reja duhet të ndërtohet në atë mënyrë, që SHIK-PDK-në, ta mbajnë sa më larg nga pushteti, duke eliminuar kokat më të shantazhuara të saj, Thaçin e Veselin, të cilët janë dëshmuar se janë zërat e Serbisë në Kosovë.

(Kosova Sot Online)