Bolton pas takimit me Daçiq: Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun

  • 19 July 2019 - 09:39
Bolton pas takimit me Daçiq: Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizë përpara. Ai ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përmes një postimi në Twitter, Bolton ka thënë se “është koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”.

“Ishte kënaqësi të pres ministrin Daçiq. U pajtuam se dialogu me Kosovës duhet të lëvizë përpara, pasi asnjëra palë nuk fiton nga status-quoja. Koha për të vepruar të dyja palët është tani”, ka shkruar Bolton.

Ndërkohë, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ministri i Jashtëm, Daçiq ka thënë se “administrata amerikane e kupton se problemi nuk është në Beograd, por problemi qëndron në Kosovë, në autoritetet e Prishtinës”.

Ai duke folur për takimet me zyrtarët e lartë amerikanë, tha se “gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe paqësore për problemin e Kosovës mbetet lartë në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të administratës së presidentin amerikan Donald Trump”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që lehtësohet nga Bashkimi Evropian është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, pasi Qeveria në Prishtinë vendosi tarifa ndaj mallrave serbe.

Autoritetet serbe kërkojnë heqjen e tarifës, në mënyrë që të kthehen në tryezën e bisedimeve, por Qeveria e Kosovës thotë se pa një kornizë marrëveshje që parasheh njohjen nga ana e Serbisë, nuk do ta shfuqizojnë tarifën.

(Kosova Sot Online)