Mërgimtarit kosovar i vidhen gati 10 mijë euro, televizioni amerikan publikon pamjet

  • 19 July 2019 - 12:30
Mërgimtarit kosovar i vidhen gati 10 mijë euro, televizioni amerikan publikon pamjet

Shpend Haxhaj po priste që për pak orë të udhëtonte në Kosovë për të kaluar tri javë me familjen e tij në vendlindje. Ajo që nuk priste ishte humbja e më shumë se 8 mijë dollarëve përpara se të largohej nga SHBA-ja.

Në një intervistë me televizionin Nju Jorkez, CBC, në lidhje direkte me Skype nga Kosova, ai deklaroi se paratë iu vodhën të hënën kur po shkonte në Aeroport, konkretisht para një farmacie në qytezën Lyndhurst.

Pa e ditur, atij i kishte rënë kuleta duke dalë nga vetura. I kishte rënë në skaj të rrugës.

“Kam humbur gjithçka. Kam humbur patentën e shoferit, kartëlën e kreditit dhe 8,800 dollarë”, deklaroi ai.

Pamjet nga kamerat e sigurisë të cilat janë publikuar në kanalin televiziv CBS, shfaqin një burrë dhe një grua që dalin nga vetura e tyre dhe vjedhin kuletën e kosovarit.

Ndërkaq, Policia e Nju Jorkut ka njoftuar se është duke e hetuar rastin dhe ka paralajmëruar të dyshuarin për vjedhjen e parave se mund të ndiqet penalisht për veprimin e tij.

“Shumica e parave do të ndihmonin të afërmit tanë që kanë pësuar shumë gjatë luftës në Kosovë, për t’i ndihmuar ata, sepse disa prej tyre ende janë të varfër”, deklaroi Haxhaj për televizionin amerikan.

(Kosova Sot Online)