Merkel: Kam folur me Haradinajn, Thaçin e Vuçiqin, ende s’ka ndonjë përparim për rinisjen e dialogut

  • 19 korrik 2019 - 13:06
Merkel: Kam folur me Haradinajn, Thaçin e Vuçiqin, ende s’ka ndonjë përparim për rinisjen e dialogut

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë për media të mbajtur sot në Berlin, ka folur edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka treguar se janë duke i shikuar modalitetet e rinisjes së dialogut dhe se për këtë çështje thotë se ka diskutuar edhe me krerët e Kosovës dhe të Serbisë.

“Ne duhet të shohim se si do të rinisim dialogun. Unë kam folur me Aleksander Vucicin, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn. Dhe ende nuk ka progres në këtë çështje”, ka thënë Merkel.

Merkel ka folur edhe për takimin e Parisit, duke thënë se janë duke punuar ende për një gjë të tillë.

“Ne kemi ofruar një takim në Paris, dhe jemi duke punuar ende për të “, ka shtuar kancelarja gjermane.

Ajo ka thënë se vendosja e taksës nga Kosova për produktet serbe ka krijuar paqartësi rreth vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas Merkel taksa ka zmbrapsur dialogun dhe nuk ka mundësuar ndonjë progres, duke rikujtuar se për një gjë të tillë kishte folur me krerët shtetërorë në takimin e 29 prillit në Berlin.

Ndër të tjera ka thënë se është interes i Gjermanisë që Kosova dhe Serbia të integrohen drejt Bashkimit Evropian, por thotë se për një gjë të tillë është  nevojshme që të ri startohet dialogu.

Për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Beograd të hënën ka folur edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, i cili është zotuar se në bashkëpunim me kancelaren gjermane, Angela Merkel, do të rinisin dialogun për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë një takim i mundshëm thuhet se do të mbahet në fillim të vjeshtës, fillim i shtatorit apo eventualisht në tetor.

Në këto përpjekje për rinisjen e dialogut edhe SHBA-të janë shprehur të gatshme për implikim direkt.

(Kosova Sot Online )