Edhe një goditje për Haradinajn, Kosnett i del në krah KSHC’së: Vendimi për Universitetet i drejtë

  • 19 July 2019 - 14:32
Edhe një goditje për Haradinajn, Kosnett i del në krah KSHC’së: Vendimi për Universitetet i drejtë

Përveç zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, kërcënimeve të Haradinajt ndaj Këshillit Shtetëror të Cilësisë, goditje u ka dhënë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka bërë dy reagime në llogarinë e tij në twitter duke thënë se Universitetet ekzistojnë për të edukluar sutendët dhe jo për të prodhuar vende pune për njerëz të pa kualifikuar.

“Pse kjo ndërhyrje politike në Agjencinë e Akreditimit? Universitetet ekzistojnë për të edukuar studentët për përfitimin e tyre dhe atë të shoqërisë, dhe jo për të prodhuar vende pune për individë të pakualifikuar. Vendi ka nevojë për një edukim që bazohet në merita dhe në një sistem fer ”, ka shkruar Kosnett.

Ai ka treguar se ambasada e SHBA-së e përkrah vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për të mos akredituar tri universitete publike dhe katër prej atyre private.

“Vendimi i Agjencisë së Akredimit për të mos akredituar disa institucione të arsimit të lartë ka qenë i vështirë, por i drejtë. Është roli i tyre të marrin vendimet objektive dhe të bazuara në standarte, në mënyrë që t’iu sigurohet studentëve të Kosovës marrja e një edukimi kualitativ që e meritojnë”, thuhet në reagimin e dytë të Kosnett.

Reagim të ashpër ndaj Haradinajt ka pasur edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, të cilët kanë kërkuar që politika t’i mbajë duart larg nga institucionet e pavarura.

KSHC ka marrë vendim për të mos akredituar për vitin e ardhshëm akademik Universitetin e Prizrenit, Pejës dhe Mitrovicës.

Ramush Haradinaj përvec reagimit që e ka pasur në profilin e tij në facebook në të cilin ka paralajmëruar vendime ndaj KSHC’së, në një konferencë për media nga Qeveria i ka cilësuar si ‘mercenarë’ dhe ‘bandit’ anëtarët e KSHC’së, duke thënë se ata po dëshirojnë t’i mbyllin universitetet publike për të quar studentë tek ato private.

 

(Kosova Sot Online)