Kuvendi pasurohet edhe me tre deputetë të rinj me aktakuza

  • 19 July 2019 - 16:06
Kuvendi pasurohet edhe me tre deputetë të rinj me aktakuza

Pushtetit legjislativ të Kosovës i janë shtuar edhe katër persona me aktakuza. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm” ndaj Arben Gashit të LDK-së. Gani Dreshaj deputet i AAK-së, akuzohet për “kanosje” në të njejtën ditë ndaj deputetit Gashi, brenda Kuvendit. Aktakuzë i është ngritur edhe Frashër Krasniqit të PSD-së dhe Milaim Zekës nga partia PEK, të dyve për shkak të përleshjes fizike në një studio televizive. Krasniqi akuzohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” ndërsa Zeka për “kanosje”.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, së fundmi ka tentuar ta spastrojë partinë nga kolegët që kanë aktakuza. Ai ka kërkuar nga njerëzit e partisë që kanë probleme me ligjin të largohen nga pozitat që mbajnë. Përveç shkarkimit të Besim Beqajt nga posti i ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, vendimin nuk ja kanë përfillur figura tjera të rëndësishme brenda partisë si: Sami Lushtaku, Sokol Bashota etj.

Nuk kaloi shumë kohë nga marrja e këtij vendimi dhe në publik rodhi informata se vartësi i Veselit në Kuvend, i cili është edhe kryetar i degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti, mban mbi supe një aktakuzë. Deri më tani askush nga partia e Veselit nuk ka folur për shkarkimin e Halitit.

Për shkak të një sulmi që autori e kishte interpretuar si rrëshqitje e që kishte ndodhur më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet Xhavit Haliti dhe Arben Gashi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj nënkryetarit, Haliti. Ai akuzohet për veprën penale “sulmi”, me të cilën sipas Kodit Penal parashihet dënim me gjobë ose me burgim deri në tri vite.

Po nga ky konflikt, aktakuzë i është ngritur edhe deputetit të AAK-së Gani Dreshaj. Ai akuzohet për veprën penale “kanosje”. Për këtë vepër kodi penal përcakton dënim me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.Persona me aktakuza tashmë ka edhe brenda partisë së Shpend Ahmetit, deputetit të PSD-së, Frashër Krasniqit, Prokuroria i ka ngritë aktakuzë Krasniqit për shkak të rrahjes me Milaim Zekën drejtpërdrejt në një studio televizive. Krasniqi akuzohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo që sipas Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Ndërsa, Milaim Zeka në këtë rast akuzohet për veprën penale “kanosje” për të cilën dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Zeka ka edhe një aktakuzë për mashtrim, pastrim parash dhe shmangje në tatim.Aktualisht në Qeverinë Haradinaj janë gjashtë ministra me aktakuza.

(Kosova Sot Online )