Sejdiu: Thaçi t’i shpall zgjedhjet menjëherë, ja dy partitë që duhet të futen në koalicion

  • 19 July 2019 - 20:59
Sejdiu: Thaçi t’i shpall zgjedhjet menjëherë, ja dy partitë që duhet të futen në koalicion

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Korab Sejdiu, i cili funksionon në kuadër të grupit parlamentar të LDK’së, ka thënë se qeveria Haradinaj është dashur të rrëzohet për milionë arsye të tjera, përveç kësaj për të cilën u rrëzua sot.

Sejdiu thotë se Gjykatën Speciale e ka votuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, andaj thotë se duhet ballafaquar me një realitet të tillë  të pakthyeshëm.

Ndër të tjera Sejdiu thotë se çfarëdo tentative e Thaçit për të krijuar ndonjë qeveri ‘frankenshtajne’ për të vazhduar dialogun me Serbinë, thotë se do të kundërshtohet nga të gjithë.

Ai thotë se duhet shpallur  zgjedhjet e menjëhershmë  nga Hashim Thaçit dhe fton për krijimin e  një koalicioni ndërmjet LDK’së dhe Vetëvendosjes. 

Reagimi i plotë:

 1,000,000 arsye pse kjo Qeveri është dashtë të rrëzohet, përveq arsyes për të cilën ra sot!

Asnjë shqiptar nuk mund t’i gëzohet ftesave nga Gjykata Speciale (Dhomat e Specializuara) për dikë. Kjo Gjykatë është rrënjësisht e padrejtë – por është një realitet i pakthyeshëm të cilin e krijuam edhe ne dhe me të cilin realitet tani duhet të përpjekemi denjësisht. Ish-KM Ramush Haradinaj i uroj sukses në ballafaqim me këtë padrejtësi. Lufta e popullit të Kosovës është dëshmuar dhe do të dëshmohet sërish se ka qenë e drejtë dhe e pastër.

Pavarësisht mundësive të tjera kushtetuese, opcioni i vetëm që mbetet legjitim në rrethanat e krijuara është shpallja e zgjedhjeve nga Presidenti i vendit. Opozita duhet t’ia bëjë këtë shumë të qartë atij. Çfarë do tentative nga Presidenti për të shfrytëzuar këtë vakum për të krijuar ndonjë qeveri frankenshtajne apo për t’u rikthyer si vendimmarrës në dialogun me Serbinë duhet të kundërshtohet ashpër nga të gjithë, por veçanërisht nga LDK dhe VV. Heshtja në këto rrethana do të nënkuptonte aprovim i një shkeljeje të tillë serioze të Kushtetutës!

Tani, Kosova duhet të ecë përpara pa humbur kohë. Kjo arrihet me krijimin e menjëhershëm të koalicionit parazgjedhor në mes të LDK dhe VV, që do të garonte me prioritete, kabinet dhe program qeveritar të identifikuara qartë dhe paraprakisht për qytetarët. Ky bllok politik do të garantonte ndër të tjera një shumicë stabile shqiptare në Kuvend, themelimin e shpejtë të qeverisë së ardhshme, si dhe shpëtim për Kosovën nga errësira në të cilën gjendet aktualisht. Çdo opcion tjetër krijon rrethana të cilat janë ambient i përshtatshëm për vazhdim të gjendjes aktuale, vonesa, bllokada, pazare, e veprime të tjera të dëmshme për vendin dhe qytetarët.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!

(Kosova Sot Online)