Vjen akuza e rëndë nga SHBA për Thaçin, Haradinajn e Veselin

  • 16 July 2019 - 07:48
Vjen akuza e rëndë nga SHBA për Thaçin, Haradinajn e Veselin

“Secili nga këta tre “musketarët”, si në aspektin e jashtëm, ashtu edhe në politikën e brendshme, më tepër janë të përqendruar për fushata mediale, për të ri ngritur imazhin e tyre tek ndërkombëtarët, se sa të mbrojnë parimet ose interesat shtetërore të Kosovës. Më këta 'komandantë' të luftës Kosova ka rrezikuar të ardhmen e vet, po cenon çështjet më vitale shtetërore, duke prekur edhe sovranitetin e integritetin territorial”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Ramiz Bojaj, i cili jeton dhe vepron në SHBA, por që është njohës i mirë i zhvillimeve politikë në Kosovë, po e përcjell me shqetësim gjendjen e imazhit të rrënuar nga politika e përçarë e Kosovës dhe rrëshqitjen e vendit deri në copëtim dhe humbje të sovranitetit të fituar me luftë e sakrifica falë mbështetjes së pa kursyer ndërkombëtare.

Image
Ramiz Bojaj

“Përçarjet e mëdha në qeverisjen e vendit, por edhe diplomacinë e jashtme, kanë dëmtuar tej mase imazhin shtetëror të Republikës së Kosovës, kanë çekuilibruar dhe kanë rrënuar interesin më madhor nacional e shtetëror të vendit tonë. Kjo përçarje po u shkon përshtati armiqve të shtetit tonë, të cilët kanë angazhuar agjendat e tyre, duke atakuar e penguar Kosovën, jo vetëm në ecjet e integrimeve ndërkombëtare, por edhe duke cenuar edhe funksionimin shtetëror të vendit tonë”, tha analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Për këtë pasojë, sipas Bojajt interesi nacional e shtetëror tashmë është thyer, në kohën kur integriteti territorial e sovraniteti shtetëror janë bërë aventura ditore të individëve të shantazhuar e të akuzuar për krime të rënda dhe të tillëve nuk u mjaftojnë vetëm milionat për të paguar avokatë e mbrojtës të shtrenjtë, por janë të gatshëm të japin edhe territor, vetëm e vetëm që të blejnë “lirinë”.

Prandaj ai thotë se në këtë aspekt, Serbia dhe mafia e Kosovës, por edhe e Tiranës, duan të arrijnë sa më shpejt “ujdi” mes vete.

“Sepse këta e kanë gjetur njëri-tjetrin dhe kanë hapur bisedimet për territoret, çështjet e brendshme të Kosovës dhe kjo duhet mënjanuar sa më parë. Nuk duhet të tolerohen që njerëz në panik të vizatojnë harta të reja, duke copëtuar Kosovën edhe ashtu të sakatosur e të copëtuar nëpër shekuj, mbrojtja e sovranitetit territorial, sigurisë së brendshme, mbrojtja e prodhimeve vendore, sistemi i pavarur i drejtësisë, ekonomisë së lirë, ruajtja e kuadrove profesionale, hapja e vendeve të reja të punës, duhet të cilësohen elemente bazë të interesit nacional, duke i mbrojtur me çdo kusht, në çdo vend e në çdo kohë”, ka shtuar Bojaj në bisedën për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, është shqetësuese fakti se kryeministri në largim Ramush Haradinaj, presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, nuk kanë fare komunikim e as bashkëpunim, të cilët e kanë prezantuar shtetin tonë në nivelin më të ulët e të mos themi edhe në nivelin më qesharak, gjë e cila i shërben armikut. 

“Secili nga këta tre “musketarët”, si në aspektin e jashtëm, ashtu edhe në politikën e brendshme, më tepër janë të përqendruar për fushata mediale, për të ri ngritur imazhin e tyre tek ndërkombëtarët, se sa të mbrojnë parimet ose interesat shtetërore të Kosovës. Më këta 'komandantë' të luftës Kosova po rrezikon të ardhmen e vet, po cenon çështjet më vitale shtetërore, duke prekur edhe sovranitetin e integritetin territorial”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, derisa kryeministri në largim, Ramush Haradinaj mbron vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe në çdo forum ndërkombëtar, në çdo shtet ose takim diplomatik, Kadri Veseli e presidenti Hashim Thaçi i kundërvihen kryeministrit dhe dalin në anën e interesave serbe.

“Kjo nuk është diplomaci, por është mungesë elementare e dijes politike, por edhe veprime të papjekura e fëmijërore. Ndryshe nga Veseli, presidenti Hashim Thaçi duket më i vendosur për realizmin e planit serb për një marrëveshje të dhimbshme me Serbinë, i cili, kohë më parë, në letrën e tij dërguar presidentit amerikan, Donald Trump, kishte premtuar 'se do t'i bëjnë të gjitha kompromiset e duhura me Serbinë, vetëm që të arrihet një marrëveshje finale më të cilën janë të kënaqura edhe Serbia edhe Putini”, përfundoi analisti, Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)