Vjosa Osmani: Më 3 gusht LDK del me ekip fitues të zgjedhjeve

  • 20 July 2019 - 18:12
Vjosa Osmani: Më 3 gusht LDK del me ekip fitues të zgjedhjeve

Deputetja më e votuar në Kosovë, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se nga Kuvendi i Përgjithshëm i LDK’së do të dalë një ekip fitues.  Ka thënë se fatet individuale kanë pak rëndësi.

Këtë qëndrim Osmani e ka dhënë për media një ditë pasi është dorëhequr Ramush Haradinaj, i cili është ftuar nga Gjykata Speciale.

“Është me rëndësi që me 3 gusht, LDK të dalë me një ekip fitues, i cili do të marrë në duar jo vetëm fatin e LDK-së por edhe fatin e Kosovës dhe do të kthejë shpresën tek qytetarët”, ka thënë Osmani.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka caktuar datën e zgjedhjeve partiake më 3 gusht. Ende nuk dihet se kush do të garojë për të udhëhequr partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Vjosa Osmani thotë se s’kanë rëndësi fatet individuale por forcimi i LDK’së.

“Fatet individuale dhe disa gjëra të tjera që po diskutohen, kanë më pak rëndësi. Natyrisht që jam në kontakt të vazhdueshëm me anëtarësinë dhe delegatët dhe synojmë ta bëjmë LDK-në edhe më të fortë”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, LDK pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt ka dalë kundër një Qeverie teknike. Ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë.

(Kosova Sot Online)