Flet Fatmir Sejdiu, i jep disa këshilla për LDK’në, nuk tregon se a do të kandidojë për Kryetar

  • 21 July 2019 - 12:40
Flet Fatmir Sejdiu, i jep disa këshilla për LDK’në, nuk tregon se a do të kandidojë për Kryetar

Fatmir Sejdiu ka kërkuar unitet e demokraci në LDK. Nëpërmjet një thirrje publike ai ka kërkuar tolerance dhe bashkëpunim gjeneratash në parti. A është kjo thirrja e tij prej liderit të ardhshëm të Partisë së Ibrahim Rugovës?

Sejdiu ka uruar LDK’në për procesin zgjedhor, ndërkaq ka bërë thirrje që Kuvendi i partisë të reflektojë unitet veprimesh dhe mobilizim për të realizuar vizionin e Kosovës së pavarur.  

“Është momenti që në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së, të dëshmojmë vlerat tona demokratike dhe duke kurorëzuar me sukses procesin zgjedhor, kështu do të shkruajmë bashkërisht edhe një faqe të re të historisë sonë, që do të jetë shenjë se LDK është partia më e besuar dhe më e organizuar në Kosovë”, ka shkruar Sejdiu.

Ai shton se Kosova është duke kaluar në fazë kritike tash e disa vjet, ndaj thotë se LDK’ja duhet ta udhëheqë vendin.

“Kosovës i duhet lidershipi i LDK-së i vendosur në mbrojtje dhe ruajtje të sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial të Kosovës, që është të vënë në shënjestër nga veprimet e Serbisë të kamufluara në pakon e “dialogut me Kosovën””, thotë Sejdiu.

Sejdiu ka shkruar se LDK’ja do të jetë e gatshme ta marrë përsipër drejtimin dhe qeverisjen e vendit, pasi sipas tij, kjo parti është vlerë sublime e Kosovës.

“Me vizion të qartë dhe me lidership të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm që do të jetë përfaqësues i identitetit të një partie me vlera të dëshmuara politike, nacionale, humane dhe qytetare; si një forcë politike e përgjegjshme para interesave të qytetarëve të Kosovës, LDK do të jetë e gatshme të marr përsipër drejtimin dhe qeverisjen e vendit në mandatin e ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet nacionale para nesh”, ka shkruar Sejdiu.

(Kosova Sot Online)