Manipulimi i Haradinajt: Në Hagë shkon si Kryeministër, e jo si Ramush, ja dëshmia

  • 22 July 2019 - 16:48
Manipulimi i Haradinajt: Në Hagë shkon si Kryeministër, e jo si Ramush, ja dëshmia

Ramush Haradinaj nuk ka qenë i sinqertë para qytetarëve kur tha se po jep dorëheqje sepse nuk dëshiron të shkojë në Hagë si kryeministër, për intervistim nga Gjykata Speciale.

Në momentin kur ai kumtoi lajmin se ka dhënë dorëheqje tha edhe këtë fjali:

“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, tha ai. 

Por, në fakt Haradinaj do të shkojë në Hagë si kryeministër e jo si individ.

Dhe këtë e konfirmon ai vetë në letrën zyrtare të dorëheqjes. Në këtë letër ai konfirmon se do të jetë kryeministër i Kosovës deri në zgjedhjen e një qeverie të re.

“Konfirmoj se deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të kryej detyrën time Kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje”, shkruan Haradinaj.

Sipas raportimeve, ai do të shkojë në Hagë gjatë kësaj jave dhe edhe sipas letrës së tij, po shkon si kryeministër i vendit.

Zgjedhjet, që po kërkohen nga të gjitha partitë politike në vend, me gjasë do të mbahen nga mesi i shtatorit apo tetorit.

Image

(Kosova Sot Online)