Detajet të reja: Si vdiq Festim Lato, flasin familjarët dhe policia

  • 22 July 2019 - 16:51
Detajet të reja: Si vdiq Festim Lato, flasin familjarët dhe policia

Prej dy ditësh ka qarkulluar në media lajmi për vdekjen e veprimtarit të çështjes çame, Festim Lato. 47 vjeçari nga Vlora me banim në Amsterdam ishte vetëshpallur President i Republikës së Çamërisë. Ngjarja vazhdon të jete e mbushur me mister për shkak të deklarimeve kontradiktore.

Policia holandeze deklaroi zyrtarisht se është identifikuar trupi i pajetë i personit që u gjet të shtunën i mbytur në Beesel.

Identiteti, shkruan policia në “twitter” nuk bëhet i ditur për publikun, por familjarët kanë identifikuar trupin e të afërmit të tyre. Po sipas policisë, viktima ishte shpallur i zhdukur nga familjarët që më 22 qershor. Trupi i pajetë, thotë policia nuk ka shenja dhune, çka dyshohet se është vetëmbytur. Pra, sipas policisë holandeze nuk kemi të bëjmë me vrasje.

Ndërsa media holandeze, referuar burimeve të saj shkruan se viktima është Festin Lato, President i Republikës (së panjohur) të Çamërisë. Sipas “De Gelderlander”, Lato ka shmangur një ushtri kreditorësh për një kohë të gjatë. Ai u deklarua i falimentuar nga gjykata në Zutphen në prill të këtij viti.

Por ndryshe nga çfarë deklaron policia se viktima është mbytur, të afërmit dhe miqtë hedhin dyshime se ai mund të jetë vrarë, jo nga borxhet, por nga angazhimi në çështjen çame.

Angelo Aliu, kryeministri i vetëshpallur i Republikës së Çamërisë, konfirmoi vdekjen e Latos në Facebook. Ai tha se është i tronditur nga vdekja dhe e quajti atë “një vrasje të motivuar politikisht të një heroi të Çamërisë”. 

Nga ana tjetër diplomati holandez Jeroen Zandberg i UNPO  i tha “De Gelderlander” se Lato ishte i përfshirë në punët e dyshimta. Ai tha se e kishte këshilluar Laton për betejën e tij politike dhe është tronditur nga vdekja. Më tej e përshkroi si “një njeri simpatik dhe i qetë në të folur”.

“Top Channel” ishte me kamera sot në familjen Lato në lagjen Lirim të Vlorës, ku janë hapur dyert e mortit. Një familje e madhe me 9 fëmijë, hynë dhe dalin të afërm dhe familjarë për ngushëllim. Vëllai i madh i kësaj familje Xhemil Lato tregon se ende nuk e kane konfirmuar 100% se vëllai i tyre është vrarë, por janë duke pritur analizat e ADN. Ndërkohë po sipas njërit prej vëllezërve të Festimit, tre fëmijët e Festimit nuk janë lejuar nga policia holandeze që të hyjnë në morg për verifikim e kufomës. Po ashtu shtëpia kishte hapur dyert e mortit, por në portën e banesës 3 katëshe nuk kishte lajmërim nekrologjie.

(Kosova Sot Online)