Akuzat e mëdha brenda PAN-it, kërkohet ndëshkimi i dekadës

  • 23 July 2019 - 07:33
Akuzat e mëdha brenda PAN-it, kërkohet ndëshkimi i dekadës

“Tani akuzat që i bëjnë këto subjekte politike njëra-tjetrës nxjerrë në pah apo vërteton se bashkëqeverisja e tyre ishte pa parime, pa ide dhe koncept e program qeverisës duke e vërtetuar perceptimin në opinion si qeveria më e inkriminuar, funksionimi I së cilës I përngjante më shumë një sundimi të një organizate mafioze e tipit sicilian”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Të gjitha zhvillimet që po ndodhin brenda ish koalicionit qeverisë PAN, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, akuzat dhe kundër akuzat për zhvatje, keqpërdorim e keq menaxhim, sipas analistit politik, Nexhat Haziri, vetëm sa po e zbardhin fytyrën e vërtetë kriminale të qëllimit për të cilin ishte krijuar ky koalicion i ngushtë në fuqi politike, me legjitimitet të cunguar të shumicës qytetare dhe krejtësisht jo funksional për dy vjet qeverisje.

Image

“Qeveria e koalicionit në ikje PAN, ishte ndërtuar në bazë të interesave të ngushta dhe mafioze të partnerëve të këtij koalicioni dhe padyshim se kjo ka prodhuar një luftë herë të heshtur e herë publike në mes partnerëve që qeverisnin së bashku, në atë që quhet beteje për ta gllabëruar çdo gjë që lidhej me buxhetin e shtetit, punësimin e militantëve dhe familjarëve të tyre, çka derivojë një luftë të ashpër sidomos në mes PDK-së dhe AAK-së. Tani akuzat që i bëjnë këto subjekte politike njëra-tjetrës nxjerrë në pah apo vërteton se bashkëqeverisja e tyre ishte pa parime, pa ide dhe koncept e program qeverisës duke e vërtetuar perceptimin në opinion si qeveria më e inkriminuar, funksionimi i së cilës i përngjante më shumë një sundimi të një organizate mafioze e tipit sicilian”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se mashtrimet që i bënë qytetarëve dhe gjendjen në të cilën e sollën Kosovën, në një vend të pashpresë, tani PDK-ja dhe AAK-ja do të mundohen që këtë faturë dështimi t’ia hedhin njëra-tjetrës dhe këto akuza do të shpeshtohen dhe do të bëhen edhe më radikale me fillimin zyrtar të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por se qytetari, sipas Hazirit, ka mësuar mjaft nga mashtrimet e tyre dhe nuk beson kur ato përsëriten.

“Mbase ajo që tashmë është me rëndësi ka të bëjë me faktin se qytetari i Kosovës është vetëdijesuar, nuk mundë të mashtrohet sepse po i vuan mashtrimet e tyre për plot dy dekada, prandaj unë pres që këto parti të ndëshkohen me votë për keq qeverisjen e tyre dhe vrasjen e perspektivës së vendit tonë për të qenë një vend normal, i zhvilluar ekonomikisht, demokratik ku sundon rendi dhe ligji dhe i respektuar edhe në rrafshin ndërkombëtar", deklaroi analisti politik, Nexhat Haziri për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)