Qeveria nuk e tregon orarin, në aeroport thonë se Haradinaj do të udhëtojë në 12:30

  • 23 July 2019 - 10:58
Qeveria nuk e tregon orarin, në aeroport thonë se Haradinaj do të udhëtojë në 12:30

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në orën 12:30, do të niset për Hagë. Kështu kanë bërë me dije burime të medias brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Por, Qeveria nuk jep orar të saktë se kur do të udhëtojë drejt Mbretërisë së Holandës shefi në dorëheqje i Qeverisë.

Haradinaj do të udhëtojë për në Vjenë për të vazhduar më pas drejt kryeqytetit holandez. E gjatë një interviste ekskluzive dhënë mbrëmë për emisionin Pressing, Haradinaj ka konfirmuar se sot do të niset për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Hagë.

“Po, nesër udhëtoj për në Hagë”, ka thënë Haradinaj. Ndërkohë nga zyra e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pranuar të flasin për detajet e fluturimit me arsyetimin se të dhënat për këtë punë ruhen për shkak të sigurisë.

Haradinaj, të premten e javës së kaluar, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar.

Kjo ishte edhe arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi ai deklaroi se nuk dëshiron të shkojë në cilësinë e shefit të Qeverisë së Kosovës.

“Kur shkon kryetari i Qeverisë, e bart nocionin, rrezikohet nocioni i sovranitetit. E krijojmë një precedent të keq kur shefi i Qeverisë së shtetit është i dorëzuar diku, unë nuk ia kam bërë këtë Kosovës. Nuk është se unë iu iki përgjegjësive, por s’kam dashur ta çoj Kosovën para hetuesve, e kam çu Ramushin. Nuk e çoj kryeministrin, as Kosovën para hetuesve, ashtu si ka pasë me i ndodhë Kosovës do të ishte një precedent, një model i keq i shtetit, do të ishte një dëshmi që ne jemi të prekshëm”, ka thënë Haradinaj.

(Kosova Sot Online)