Gjykata Speciale nuk tregon se në çfarë cilësie fton ish-ushtarët dhe ish-krerët e lartë të UÇK’së

  • 23 July 2019 - 13:41
Gjykata Speciale nuk tregon se në çfarë cilësie fton ish-ushtarët dhe ish-krerët e lartë të UÇK’së

Dhjetëra persona, prej ushtarëve të thjeshtë e deri në hierarkinë më të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë ftuar këtë vit për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, në cilësi të ndryshme rreth dyshimeve për krime në kohën e luftës në Kosovë dhe pas saj, në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Të fundit që janë ftuar nga kjo Gjykatë për tu investuar janë krerët më të lartë të UÇK-së, si Ramush Haradinaj, komandanti i Zonës Operative të UÇK-së për Dukagjin, Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Shukri Buja, ish kryetar i Lipjanit dhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimes.

Mirëpo se në çfarë cilësie janë ftuar ata, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në një përgjigje dërguar për media  në formë elektronike kanë thënë se Prokuroria e Specializuar nuk ofron informata për hetimin – për arsye profesionale, ligjore dhe etike.

Sipas tyre, Zyra e Prokurorisë Speciale (ZPS) po heton krimet e rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, siç përcaktohet nga e drejta ndërkombëtare dhe e përcaktuar në Ligjin Special mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë Speciale.

“ZPS-ja, ndër të tjera, ka autoritetin të kërkojë praninë dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve, të mbledhë dhe të shqyrtojë informacionet dhe provat dhe të marrë vendime për fillimin, si dhe vazhdimin ose përfundimin e procedimeve penale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, i pari që kishte marrë ftesën për t’u paraqitur para prokurorëve të Speciales ka qenë komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi. Kjo kishte ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, dhe ishte intervistuar në janar të vitit 2019.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat përkojnë me çdo nivel të sistemit të gjykatave në Kosovë. Ato u formuan në bazë të Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për gjykimin e pretendimeve të paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Dhomat janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të përkufizuara në Ligjin e Kosovës, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000. Ligji mundëson që proceset gjyqësore të mbahen jashtë Kosovës. Dhomat e Specializuara e kanë selinë në Hagë, (Holandë), dhe punësojnë gjykatës, prokurorë dhe punonjës ndërkombëtarë.

(Kosova Sot Online)