Agjencia Kosovare e Privatizimit ndryshon rregullat e tenderit

  • 23 July 2019 - 16:50
Agjencia Kosovare e Privatizimit ndryshon rregullat e tenderit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka thjeshtësuar procedurat e ofertimit duke krijuar lehtësira për blerësit që konkurrojnë për të privatizuar prona të ndërmarrjeve shoqërore.

Rregullat e tenderit, me të cilat përcaktohen procedurat e ofertimit kanë ndryshuar, po ashtu me rregullat e reja përgatitja e ofertës nga blerësit me dokumentet përcjellëse do të jetë shumë më e lehtë të bëhet, pasi që do të duhen më pak dokumente, njofton AKP.

Për të qenë oferta valide, blerësit tani me rregullat e reja të tenderit duhet të posedojnë vetëm kopjen e dokumentit identifikues, dëshminë e pagesës së depozitimit që është përcaktuar ndaras për secilin aset dhe dëshminë e pagesës së tarifës, të cilat bëhen në llogarinë e AKP-së. Ndërsa dokumenti tjetër që duhet të plotësohet është ai i çmimit me të cilin oferton blerësi.

Agjencia, me vendim të Bordit të Drejtorëve ka bërë edhe një varg ndryshimesh të tjera që lehtësojnë gjithë procesin e privatizimit, prej shpalljes së tenderit e deri të shpallja e fituesit dhe nënshkrimi i kontratave me blerësit.

Rregullat e reja të Tenderit aplikohen nga kjo valë e shitjeve të aseteve, ndërsa janë të publikuara edhe në ueb faqen e agjencisë.

Ofertuesit mund të vizitojnë edhe zyrat e AKP-së dhe të njoftohen drejtpërdrejt nga zyrtarët përgjegjës me procedurat e reja të ofertimit. 

Ndërkohë, AKP ka shpallur shitjen e aseteve me likuidim numër 49, me gjithsej 137 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë më datën 21 gusht 2019, nga ora 10:00 deri 12:00.


(Kosova Sot Online)