Ujësjellësi kërkon nga konsumatorët të mos e keqpërdorin ujin e pijshëm

  • 23 July 2019 - 16:58
Ujësjellësi kërkon nga konsumatorët të mos e keqpërdorin ujin e pijshëm

Bordi i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka kërkuar nga konsumatorët që të paguajnë rregullisht faturat dhe të shpenzohet racionalisht uji i pijshëm e të mos shpërdorohet.

Në një njoftim për media, KRU “Prishtina” ka garantuar shërbime më cilësore, pas vizitës që Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie bëri në Fabrikën e Trajtimit të Ujit në Shkabaj. Ata u njoftuan për së afërmi me gjendjen e fabrikës më të re të ujit të pijshëm, gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm për komunat në të cilat ofrohen shërbimet e KRU “Prishtina”.

Kryesuesi Betim Berisha, anëtari Bajram Jashari, bashkë me kryeshefin ekzekutiv Ilir Abdullahu e zëvendëskryeshefin Kujtim Xhelili dhe zyrtarin financiar Sokol Duraku, vunë në pah se sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet KRU “Prishtina” janë në zgjerim të rrjetit dhe përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj konsumatorëve në tetë komuna.

“Ndër të tjerash, ata u zotuan se me të gjitha kapacitetet e tyre profesionale do të jenë mbështetësit kryesorë në realizimin e objektivave të kompanisë, që ndërlidhen direkt me përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, filluar nga furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë dhe cilësia e ujit bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kyçja e vendbanimeve të reja në sistem ujësjellësi dhe kanalizimi, mënyra të lehta procesuese në pagesat e shërbimeve, intervenime të shpejta në sistemin e rrjetit të ujësjellësit, vendosje e infrastrukturës së re të ujësjellësit, etj”, thuhet në njoftim ku theksohet se “mesazhi i tyre drejtuar konsumatorëve ishte mjaft i qartë: Paguani rregullisht faturat e ujësjellësit dhe kanalizimit, shpenzoni racionalisht ujin e pijshëm, mos e shpërdoroni, ne ju garantojmë shërbime gjithnjë e më cilësore”.


(Kosova Sot Online)