Mediat serbe: Specialja e ka në dorë ditarin që Haradinaj e mbante gjatë luftës

  • 24 July 2019 - 13:47
Mediat serbe: Specialja e ka në dorë ditarin që Haradinaj e mbante gjatë luftës

Sot ka përfunduar në Hagë intervistimi i kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj nga Specialja.

I njëjti është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit nga prokurorët e Hagës, shkruan lajmi.net. Ndonëse dy herë doli i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare, në Serbi po thonë se do të ketë prova të reja kundër Haradinajt që, sipas tyre, e dëshmojnë fajësinë tij.

Këtë e ka thënë kryetari i të ashtuquajturit Komision Parlamentar për Kosovën në kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun.

Sipas tij, këto prova do të bëhen publike javën e ardhshme.

“Haradinaj tashmë është ndjekur penalisht në Hagë për disa ngjarje, dhe nuk mund të ndiqet për së dyti herë për të njëjtat. Megjithatë shfaqen ngjarje të reja, në të cilat mund të konstatohet përgjegjësia e tij në kryerjen e krimeve gjatë kohës sa ai kishte përgjegjësinë e komandës”, ka thënë Drecun. 

Madje sipas tij, në zonën e Haradinajt janë identifikuar një numër i madh rrahjesh e vrasjes.

E më e rëndësishmja nga të gjithat është se Drecun pretendon se Serbia e ka ditarin e luftës së Haradinajt të cilin ia ka ofruar Speciales.

Sipas tij, kjo është bërë që të ketë prova të reja kundër kryeministrit në largim të Kosovës, dhe që Prokuroria e Specializuar të ketë bazë për ngritjen e aktakuzës.

Mirëpo, optimist se nuk do t’i ngritët aktakuzë ka qenë sot vetë kryeministri Haradinaj.

Ai pas intervistimit, ka folur për mediat e pranishme para objektit të Speciales, nga ku ka thënë se nuk pret që një gjë e tillë të ndodhë.

(Kosova Sot Online)