Aksioni i policisë: Sekuestrohet sasi e madhe e armëve, arrestohen 18 persona

  • 24 July 2019 - 14:05
Aksioni i policisë: Sekuestrohet sasi e madhe e armëve, arrestohen 18 persona

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, përmes një njoftimi thekson se janë arrestuar 18 persona dhe janë sekuestruar sasi e madhe e armëve gjatë një operacioni.

“Pas një hetimi intenziv disa mujor, i filluar nga fundi i vitit 2018, me masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimit të Organizuar – DHKO në Prishtinë, kanë kryer disa bastisje në disa lokacione në regjione të ndryshme në tërë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit gjatë këtyre bastisjeve janë sekuestruar një sasi e madhe e armëve dhe municion të llojeve të ndryshme.

“Janë sekuestruar deri më tani tridhjetë e shtatë (37) revole, tetë (8) armë gjuetie, tri (3) armë AK-47 , dy (2) armë gjysmë automatike, shtatë (7) armë të gjata, një (1) pushkë ajrore, tetëmbëdhjetë (18) karikator, pjesë të ndryshme të armëve (tyta të revoleve), një sasi e madhe e fishekëve, rreth nëntë mijë (9,000) copë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu, janë sekuestruar të holla rreth 10.000 € si dhe dy (2) vetura”, thekson raporti i Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë Themelore janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona.

“Personat me inicialet: A.F.,P.F.,M.F.,M.SH.,I.R., R.M.,N.M.,P.M., A.F.,B.A.,S.N.,A.H., K.P.,E.B.,K.D., B.J.,S.K.,F.U., ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se operacioni ende është duke vazhduar.

(Kosova Sot Online)