Dorëheqja e Haradinajt, çfarë do të ndodhë me ‘skandalin’ e dekadës?

  • 25 July 2019 - 07:43
Dorëheqja e Haradinajt, çfarë do të ndodhë me ‘skandalin’ e dekadës?

“Po të ketë vendi vërtetë një prokurori dhe gjyqësi të njëmendtë, të pa ndikuar nga politika, as rasti në fjalë, nuk do mbetej një histori e dështuar e këtij skandali të dekadës që po e rrënon Telekomin dhe nga i njëjti rast përsëri të dali përfitues, Z-Mobile dhe Blerim Devolli. Por me një sistem të tillë të kapur të drejtësisë nga mafio politika,jo rastësisht në të njëjtë kohë,po rastisin për të dështuar si proces, hetimi i kontratës PTK- Z- Mobile, si dhe monopoli i homologimit të veturave,”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Komisioni Hetimor të cilin e ka themeluar Kuvendi i Kosovës për Telekomin dhe kontratën e inkriminuar me Z-Mobile, nuk do të arrijë kryej deri në fund misionin e vetë, pasi që së shpejti pritet shpërbërja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të reja.

Image

Lidhur me këtë angazhim, komisioni ka diskutuar edhe në fillim të javës, për punën që do të bëjnë në vazhdim, pasi sipas tyre mandati po u përfundon dhe për mandatuesit e rinj duhet lënë një dosje e punës së komisionit.

Analistët politikë këtë proces e shohin të mbetur në gjysmë të rrugës, një histori të dështuar e përpjekjes për zgjidhje të këtij skandali të dekadës që po e rrënon Telekomin, kurse mbetja pezull e këtij rasti, sipas tyre mund t’i shkojë në favor vetëm kompanisë Dardafon, Z-Mobile edhe Blerim Devolli. Sipas analistëve, të njëjtin fat pritet ta ketë edhe monopoli për homologimin e veturave.

Analisti politik, Gani Qarri thotë se duke u nisur nga fakti që komisioni ka kryer shumicën e intervistimeve të parapara ndaj zyrtarëve kyç që kanë të bëjnë me kontratën, dhe ana tjetër e procesit ka të bëjë me dosjen e cila është në prokurori, atëherë ka hapësirë dhe argument të mjaftueshme që pavarësisht komisionit që nuk do të shkojë deri në fund me hetimin parlamentar.

Sipas tyre, për drejtësinë ka argumente të mjaftueshme që të nxjerr verdiktin ligjor dhe ta zgjidh problemin në interesin publik, por kjo varet nga vullneti dhe guximi I Prokurorisë.

“Ngritjen e aktpadive, gjykimin e rasteve dhe nxjerrën e verdikteve ligjore, duhet t’i ekzekutojë prokuroria dhe gjykatat të cilat janë të obliguara ta bëjnë vendosjen e rendit dhe ligjit në vend. Sa i takon Komisionit Hetimor të Kuvendit të Kosovës, edhe ashtu ka kohë që ky komision, ka nisur punën dhe gati ka përfunduar hetimet lidhur me gjendjen e krijuar në PTK, kështu që tani i mbetet drejtësisë të vendosë mbi rastin në fjalë sepse faktet janë të bollshme në të dyja anët, edhe dosja e dërguar në prokurori por edhe të gjeturat dhe konstatimet e deritanishme të komisionit”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, ndonëse jo me punën e përfunduar tërësisht, materialet e këtij komisioni mund t’i shërbejnë mjaftueshëm prokurorisë nëse aty ka informacione shtesë për të kryer punën si pas ligjit.

“Për këtë arsye nga anëtarët e komisionit edhe u propozua përgatitja e përshpejtuar e një raportit të nevojshëm përkatës, në mënyrë që prokurorisë dhe organeve të gjyqësorit tu hapet rruga për fillimin e procedurave ligjore, si dhe për mandatuesit e rinj, deputetët e legjislaturës së ardhshme, komisioni të lë një dosje të punës që ka bërë deri më tani. Ndaj megjithëse krijohet përshtypja se aktiviteti i komisionit hetimor, po mbetet në gjysmë, prokuroria dhe sistemi i drejtësisë vendore, janë furnizuar me informata të mjaftueshme, për të nisur e quar deri në fund hetimet dhe nxjerrë verdiktin ligjor lidhur me kontratën e inkriminuar të Z-Mobile me Telekomin e Kosovës dhe këtë detyrë duhet ta kryejnë në bazë të ligjit”, deklaroi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, ai shton se nëse ka vullnet dhe guxim në organin e akuzës që të merret me këtë temë serioze, atëherë pengesat janë eliminuar ngase informacionet dhe faktet janë të bollshme nga të gjitha burimet e mundshme.

“Po të ketë vendi vërtetë një prokurori dhe gjyqësi të njëmendtë, të pa ndikuar nga politika, as rasti në fjalë, nuk do mbetej një histori e dështuar e këtij skandali të dekadës që po e rrënon Telekomin dhe nga i njëjti rast përsëri të dali përfitues, Z-Mobile dhe Blerim Devolli. Por me një sistem të tillë të kapur të drejtësisë nga mafio politika, jo rastësisht në të njëjtë kohë,po rastisin për të dështuar si proces, hetimi i kontratës PTK- Z- Mobile, si dhe monopoli i homologimit të veturave, dy kontrata kriminale këto në lidhje të fuqishme me politikën dhe krimin e organizuar para të cilit po bënë sehir edhe vet Prokuroria Speciale”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)