Vdekja e dy të rinjve në autostradën “Ibrahim Rugova”, kërkohet të dënohen shoferët e autobusit

  • 25 July 2019 - 14:09
Vdekja e dy të rinjve në autostradën “Ibrahim Rugova”, kërkohet të dënohen shoferët e autobusit

Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër tre shoferëve të kompanisë “Sharr Travel”, të cilët nga pakujdesia kishin shkaktuar aksident trafiku si pasojë e të cilit dy persona kanë humbur jetën.

Në një komunikatë të Prokurorisë thuhet se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. 

“Të pandehurit, si vozitës dhe punëtorë të kompanisë “Sharr Travel”,  ndalin autobusët në vendin kritik, për të bërë shkëmbimin e telefonave mobil dhe disa lista të udhëtarëve. Fillimisht ndalet i pandehuri Sh.S., i cili ishte nisur nga Prishtina në drejtim të Shqipërisë, kurse i pandehuri B.B., ndalet nga ana e kundërt. I pari  nga autobusi i të pandehurit Sh.S., del  i ndjeri G.G., për ta trupuar trasenë, ku bie poshtë. Në ndërkohë, vie me autobus nga kahja e njëjtë i pandehuri M.M., ku nga autobusi del i ndjeri A.B., ku bie poshtë urës në hapësirën e pa mbuluar në mes të dy kahjeve që ndajnë autostradën”, theksohet në komunikatë.

Po ashtu bëhet e ditur se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë.

Aksidenti ka ndodhur me datën 29 qershor, ndërkaq ndaj të dyshuarve ishte shqiptuar masa e paraburgimit.

(Kosova Sot Online)