Pesë kosovarëve iu ndodh diçka e mrekullueshme pasi i shpëtuan disa italianë

  • 25 July 2019 - 15:17
Pesë kosovarëve iu ndodh diçka e mrekullueshme pasi i shpëtuan disa italianë

Pesë emigrantë kosovarë Laurat Hoti, Florim Bytyçi, Burim Kuçi, Ilir Lekaj e Lulzim Bytyçi, që prej disa vitesh jetojnë e punojnë në Itali janë vlerësuar me “Nënshtetësinë e nderit italiane” për gjestin e tyre heroik në shpëtimin e pesë të rinjve, të cilët pas një aksidenti rrugor ishin rrëzuar në një kanal me ujë së bashku me makinën.

Ngjarja tragjike ndodhi në afërsi të qytetit të Jesolo. Në natën e 14 korrikut, 5 emigrantët kosovarë të gjithë me profesionin muratorë, ishin të parët që u gjendën në vendin e aksidentit e pa u hezituar u zhytën në ujë për të shpëtuar të rinjtë italianë.

Ata arritën ta nxjerrin gjallë prej ujit vetëm Giorgia Diral, ndërsa 4 të rinjtë e tjerë, të gjithë në moshën 22-23 vjeçare kishin mbetur viktima.

Pesë emigrantët kosovarë, nxorën trupat nga uji e bënë ç’është e mundur t’i japin ndihmën e parë të rinjve të aksidentuar duke lajmëruar dhe mjetet e shpëtimit e ndihmën mjekësore.

Pas gjestit të tyre, pa të cilin Giorgia sot nuk do të kishte jetuar, kosovarët u larguan në heshtje pa pretenduar as falënderime e nderime.

Ishte familja e Giorgias dhe kryetarja e Bashkisë së Musile të cilët kontaktuan emigrantët kosovarë e në bashkëpunim me kryetarët e bashkisë së komunave përreth, vendosën t’i nderojnë për gjestin e tyre heroik me vlerësimin “Nënshtetësia e nderit italiane”, si shembull të një qytetarie model.

Pak ditë më parë u zhvillua ceremonia e varrimit e 4 të rinjve që mbetën viktimë e këtij aksidenti tragjik.

(Kosova Sot Online)