Mesazhi i parë i Haradinaj pas kthimit nga Haga: Kufijtë e Kosovës nuk preken

  • 26 July 2019 - 07:52
Mesazhi i parë i Haradinaj pas kthimit nga Haga: Kufijtë e Kosovës nuk preken

Pas qëndrimit dy ditorë në Hagë, kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë pak para mesnatës është kthyer nga Haga.

Derisa këtë e bëri të ditur përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Haradinaj, tha se me të kryer edhe detyrën e raportimit para prokurorëve të Hagës, do t’i kthehet obligimeve në Kosovë.

Kryeministri në dorëheqje, ashtu si veproi kur edhe dha dorëheqje, edhe mbrëmë përmendi se veprimi i tij për dorëheqje është poroasi se kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush.

“Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”, ka shkruar Haradinaj.

I njëjti ka komentuar edhe zërat se pas dorëheqjes së tij nuk mund ta ushtroj postin e kryeministrit.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës” ka shkruar Haradinaj, derisa ka thënë se çdo kush që mendon që posti nuk duhet mbajtur duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit javën e kaluar pas ftesës për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Ai është ftuar për intervistë të mërkurën ndërsa gjatë intervistimit ka thënë se është mbrojtur në heshtje.

(Kosova Sot Online)