Haradinaj kujton Enver Zymberin në tetë vjetorin e rënies

  • 26 July 2019 - 10:11
Haradinaj kujton Enver Zymberin në tetë vjetorin e rënies

Kryeministri i Kosovës në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka kujtuar në tetë vjetorin e rënies, pjestarin e Njësisë Speciale, Enver Zymber.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se tetë vite më parë, ka rënë një nga policët më të mirë të Kosovës, duke mbrojtur sovranitetin e vendit.

“Sot e tetë vite më parë, një nga policët më të mirë të Kosovës, Enver Zymberi, pjesëtar i Njësisë Speciale, ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të vendit, të qytetarëve pa dallim etnie, të rendit dhe ligjit. 
Duke e kujtuar veprën kulmore të tij, sot nderojmë secilin polic të Kosovës, që kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë në kryerjen e detyrave, në mbrojtje të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në Jug e në Veri”, ka shkruar ai.

Tutje, kryeministri në dorëheqje, tha se angazhimi i policisë së Kosovës po e bën Kosovën më të sigurtë.

“Ky angazhim dhe përkushtim i tyre, e bën Kosovën vend të sigurt, për të gjithë qytetarët në çdo pëllëmbë të saj.  Falënderoj zyrtarët policorë, Drejtorin Rashit Qalaj, për angazhimin e pakursyer, për t’i dalë zot Kosovës”, shkroi Haradinaj.

(Kosova Sot Online)