Kapen 55 kilogramë marihuanë në Vërmicë

  • 26 July 2019 - 10:16
Kapen 55 kilogramë marihuanë në Vërmicë

Oficerët doganor mbrëmë kanë arritur të identifikojnë dhe të kapin një sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, e cila tentohej të futet në Kosovë përmes pikëkalimit të Vërmicës.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, automjeti i llojit Opel Meriva me targa të Shqipërisë, drejtohej nga një shtetas shqiptar. “Pas profilizimit nga oficerët doganor automjeti është ndaluar për kontroll të dyfishtë. 

Në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, është kryer kontroll e përbashkët me Policinë e Kosovës dhe Njësitin Antikontrabandë ku gjatë kontrollit është dyshuar se automjeti në fjalë ka dysheme të dyfishte në të cilën mund të kishte mallra të ndaluar.

Pas hapjes së dyshemesë janë hasur 53 paketime të substancës narkotike të dyshuar marihuanë (29 paketime marihuanë dhe 24 paketime marihuanë “çokollatë“). Pesha e kësaj substance narkotike pas peshimit  është 54 kg e 963.24 gr ”, thuhet në njoftimin e Doganës. Drejtuesi i automjetit është arrestuar, si dhe rasti është përcjellë tutje tek Policia e Kosovës.

(Kosova Sot Online)