OJQ-të i reagojnë pasi Haradinaj fton mbledhjen e Qeverisë

  • 26 July 2019 - 11:46
OJQ-të i reagojnë pasi Haradinaj fton mbledhjen e Qeverisë

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë reaguar ndaj ftesës së ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj për mbledhje të Qeverisë së dorëhequr.

Ata kanë kundërshtuar mbledhjen e Qeverisë së dorëhequr.

“Ne – organizatat e shoqërisë civile – reagojmë fuqishëm ndaj ftesës së ish-Kryeministrit Haradinaj për mbledhje të Qeverisë së dorëhequr si dhe ndaj çdo vendimi të rëndësishëm që potencialisht mund të votohet nga Qeveria e dorëhequr”, thuhet në komunikatën e Organizatave të Shoqërisë Civile.

Sipas këtyre organizatave, Qeveria e dorëhequr e Haradinajt nuk ka legjitimitet.

“Qeveria e dorëhequr prej datës 19 korrik 2019, nuk ka legjitimitet për të vazhduar me zbatimin e planit të saj qeverisës, dhe çdo tentim që gjatë kësaj kohe të merren vendime të rëndësishme, sepse bien në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë”.

Ata i kanë bërë thirrje Haradinajt që deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të kujdeset vetëm për mbajtjen funksionale të administratës shtetërore dhe të mos nxjerr vendime të rëndësishme.

“Ftojmë ish-Kryeministrin dhe Qeverinë në dorëheqje që deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, të kujdesen vetëm në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të domosdoshme për ta mbajtur funksionale administratën shtetërore, për të parandaluar vakumin institucional. Qeveria në dorëheqje assesi nuk ka mandat qeverisës, që të vazhdojë me zbatimin e politikave të saj, sikurse ka paralajmëruar pikat për mbledhjen e radhës së Qeverisë, sikurse të mos kishte ndodhur asgjë”, u shprehën ata.

Organizata e Shoqërisë Civile i kanë bërë thirrje edhe Presidentit që të konsultohet me partitë politike në drejtim të zgjedhjeve.

“Ne – organizatat e shoqërisë civile – i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, që në kuptim të përmbushjes së obligimeve kushtetuese drejtgarantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, mos të humb kohë, por të ndërmerr masat urgjente që në konsultim me partitë politike të shkojnë në drejtim të zgjidhjes për zgjedhjen e institucioneve legjitime” thanë këto organizata. 

(Kosova Sot Online)