OKB: Komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të përballet me krizën në Siri

  • 26 July 2019 - 13:36
OKB: Komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të përballet me krizën në Siri

Shefja për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara, Michelle Bachelet ka thënë se Qeveria Siriane dhe aleatët e saj kanë vazhduar fushatën kundër civilëve në veriperëndim të Sirisë, pavarësisht paralajmërimeve të komunitetit ndërkombëtar për përshkallëzim të dhunës.

Ofensiva ushtarake e Qeverisë Siriane, e përkrahur nga Rusia ka nisur më 30 prill, kundër bazës së fundit të udhëhequr nga rebelët, në të cilën gjenden 3 milionë persona.

Si pasojë e konfliktit, besohet se 440,000 persona janë zhvendosur nga kjo zonë.

Zyra e Bachelet ka thënë se në 10 ditët e fundit janë vrarë 103 civilë, duke përfshirë, 26 fëmijë.

Bachelet ka thënë të premten se kombet më të fuqishme në botë, janë duke dështuar që të përballen me krizën në Siri, e cila ka rezultuar “tragjedi të shkallës së lartë”.

(Kosova Sot Online)