‘Vijat e kuqe’, edhe një mashtrim i radhës nga partitë politike

  • 26 July 2019 - 15:46
‘Vijat e kuqe’, edhe një mashtrim i radhës nga partitë politike

“Sa i përket PSD-së, kjo parti është në pozicionin më të dobët, pasi nëse mbetët ajo që thonë tri partitë e mëdha LDK-ja, VV-ja dhe PDK-ja, se do të garojnë të vetme në zgjedhje, PSD-së dhe partive të tjera të vogla, iu rrezikohen mundësit për tu përfaqësuar në Kuvend, dhe po ashtu edhe për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Tregimet e partive politike për vijat e kuqe kundër njërit apo oponentit tjetër, duket që do të jenë në modë përsëri edhe në zgjedhjet e kësaj vjeshte të hershme.

Image

E duke folur lidhur me këtë, analisti politik, Nexhat Haziri thotë për “Kosova Sot Online” ky lloj mashtrimi është një ndër sjelljet më të turpshme të partive politike karshi elektoratit.

“Sepse ato fillimisht krijojnë tensione në raportet mes qytetarëve të pa informuar sa duhet, dhe më pastaj dalin krejtësisht mashtruese deklarimet e tyre, gënjeshtra të pa kripura ngase pas zgjedhjeve secila parti politike rri zgjuar sy e vesh se nga kush po i vjen oferta për të bashkë qeverisur”, shprehet Haziri.

“Historia e “vijave të kuqe” që partitë gjoja i vendosin njëra-tjetrës për të mos bashkë qeverisur është një nga shfaqjet më komike të skenës politike kosovare. Jo rrallë herë, për të mos thënë gjithnjë, këto vija të “kuqe” janë shndërruar në të “gjelbra”, gjëja se duke u justifikuar me interesin madhor të vendit”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, praktika kosovare e pas luftës në politikë, ka dëshmuar se inatet mes partive politike gjithmonë bien në momentin kritik kur vjen oferta serioze e ndarjes së kulaçit për pushtet, e që kënaq të gjitha palët që masin pjesë në ndarje.

“Në Kosovë koha ka dëshmuar, së paku deri më tani, se kur është në pyetje pushteti, gjithkush mundet me bashkëqeverisje me gjithkënd, me secilin, prandaj kjo tregon mungesën e plan programeve politike të partive politik dhe mos profilizimin e tyre të qartë politik dhe ideologjik, edhe pse disa prej tyre proklamohen si të profilizuara edhe përkundër që janë anëtarë të blloqeve politike evropiane, sjellja e tyre në skenën politike, veprimet dhe funksionimi I përgjithshëm lë shumë për të dëshiruar”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Haziri shton se pavarësisht deklarimeve mashtruese të partive të vogla politike që po mashtrojnë votuesit me vija të kuqe ndaj të mëdhenjve, ato shpejtë do të zhbëhen dhe do të jetë interesante për t’i parë se nga do ta pozicionojnë fytyrën e tyre mashtruese.

Përveç katër partive të mëdha politike, të gjithë të vegjlit, sipas Hazirit, do të kërkojnë shpëtim tek të mëdhenjtë.

“Mbase është interesante të shihet se si do të pozicionohen partitë e vogla, si AAK, NISMA, AKR, Alternativa, PSD-ja, përjashto këtu AAK-në e cila ka një elektorat që i garanton marrjen e mandateve dhe kalimin e cenzusit prej 5 %, të tjera vetëm përmes koalicioneve mund të kenë gjasa të përfaqshmit të tyre në Kuvendin e Kosovës. Sa i përket PSD-së, kjo parti është në pozicionin më të dobët, pasi nëse mbetët ajo që thonë tri partitë e mëdha LDK-ja, VV-ja dhe PDK-ja, se do të garojnë të vetme në zgjedhje, PSD-së dhe partive të tjera të vogla, iu rrezikohen mundësit për tu përfaqësuar në Kuvend, dhe po ashtu edhe për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)