‘Shpëton’ edhe njëherë SHIK-u: Ja hetimi që do të krijonte tërmet në Kosovë

  • 27 July 2019 - 07:55
‘Shpëton’ edhe njëherë SHIK-u: Ja hetimi që do të krijonte tërmet në Kosovë

“VETTING-u në sistem do të krijonte gjendje të rëndë, sepse kemi sistem shumë të dyshuar sa i përket pastërtisë së prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Nëse për asgjë tjetër jo, për pasurinë që e kanë krijuar. E tëra nga Abelard Tahiri ka qenë porosia dhe qëllimi për vendosjen akoma më të madhe të vartësisë së sistemit të tillë të drejtësisë nga politika dhe kjo shihet ashiqare pa pasur fare nevojë që të bëhen analiza”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Edhe ky mandat qeverisës i koalicionit PAN në ikje, po dështon në idenë e nisjes së procesit të Vettingut në Kosovë dhe nisjen e hetimit ndaj SHIK-ut.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi tha për “Kosova Sot Online” se ka qenë vetëm pritje e kotë që kjo garniturë politike e ndikuar dhe kapur skajshmërisht nga SHIK-u, të nisin një Vetting-u në drejtësi apo dekriminalizim të politikës, kur vetë janë të inkriminuar dhe e kanë kapur edhe sistemin e drejtësisë së korruptuar.

Image
Muhamet Kelmendi

“Nuk ka dështuar VETTING-u, sepse as që ka filluar, përkatësisht nuk ka qenë interesi i zhvillimit të këtij mekanizmi spastrues. Kjo është parë në kohën kur Ministër i Drejtësisë u vendos njeriu u afërt me Hashim Thaçin. Ministri Abelard Tahiri kurrë, në asnjë moment nuk e kishte për qëllim futjen e VETTING-ut në sistemin e drejtësisë”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Nisja e Vetting-ut në drejtësi, sipas Kelmendit, do të krijonte një tërmet serioz, prandaj askush nuk ka pasur interes që ta zhvillojë atë.

“VETTING-u në sistem do të krijonte gjendje të rëndë, sepse kemi sistem shumë të dyshuar sa i përket pastërtisë së prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Nëse për asgjë tjetër jo, për pasurinë që e kanë krijuar. E tëra nga Abelard Tahiri ka qenë porosia dhe qëllimi për vendosjen akoma më të madhe të vartësisë së sistemit të tillë të drejtësisë nga politika dhe kjo shihet ashiqare pa pasur fare nevojë që të bëhen analiza”, tha profesor, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”

Sipas tij. ikja nga Vetingu është bërë jo rastësisht, sepse të parët që do të ballafaqoheshin me këtë proces do të ishin kokat kryesore të politikes dhe të drejtësisë.

“Politikanët e partive të mëdha politike, nga presidenti Thaçi tutje, të gjithë kishin me qenë subjekte të hetimeve penale si për në fushën politike, por të korrupsionit dhe të krimit, do të duhej ditur se prej nga është krijuar ajo pasuri e madhe që është në duart e tyre, tek të afërmit e tyre dhe të miqve e të shokëve të cilët nga hiqi u bënë milionerë. Prandaj këtu është fakti i mos futjes së VETTING-ut në veprim sepse me atë do të rrezikohej pasuria dhe personi i lartë në pozitën ekonomike dhe politike e shtetërore”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Kelmendi ka thënë se në vend se të pastrohej drejtësia dhe politika nga krimi, ka vazhduar avazi i vjetër i bashkëjetesës me krimin.

“Ndaj, as që u diskutua si mjet. Përkundrazi, vazhdoi avazi i vjetër, ju rritën edhe më shumë të ardhurat. Keqpërdorimet, krimi ekonomik e politik po lulëzon sepse askush nuk mund të vepron kundër me këta prokuror dhe gjyqtar për ti prekur pushtetarët. Duke qenë kështu nuk kemi çfarë të themi tjetër veç se të konstatojmë që sistemi i drejtësisë është thellësisht i kapur”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)