Prishtina pa gjelbërim, qytetarët ankohen por Komuna hesht

  • 27 July 2019 - 13:20
Prishtina pa gjelbërim, qytetarët ankohen por Komuna hesht

Mbingarkesa e kryeqytetit me ndërtesa shumëkatëshe e me hapësira tejet të vogla, e ndonjëherë inekzistente mes tyre, ka bërë që Prishtina të shndërrohet në qytetin e pluhurit dhe betonit. Arkitektët e edhe qytetarët ankohen dhe fajësojnë komunën por vazhdojnë të blejnë objekte, ndërsa në Komunë nuk japin përgjigje.

Në lagjet e vjetra si Ulpiana dhe Dardania, ndodhen edhe parqet, porse e njëjta nuk po ndodh në lagjen Mati 1, ku ndonëse ndërtimet nuk kanë të ndalur, nuk po përfillen kriteret për gjelbërimin, e të cilat janë të përcaktuara sipas ligjit varësisht nga zona se ku ndodhet objekti. Vetëm në lagjen e Matit, koeficienti i gjelbërimit sillet prej 0.1 deri në 0.4 përqind.

Pasojat e mungesës së hapësirave gjelbëruese më së shumti po i vuajnë fëmijët të cilët nuk kanë se ku të kalojnë kohën e lirë, ndërsa më të moshuarit ankohen edhe për infrastrukturën e dobët në këtë pjesë të qytetit.

Arkitekti Arbër Sadiku, thotë, se ky kaos që ka kapluar këtë zonë, vjen kryesisht si rezultat i inspektimit të dobët të ndërtimeve.

Ai vlerëson se koeficienti për gjelbërim duhet të jetë minimalisht 0.5, ku gjysma e hapësirës (shputës) do të ishte ndërtim, e gjysma hapësirë gjelbëruese. 

Sadiku thekson se edhe ato pak hapësira të parapara për shfrytëzim të përbashkët nga ana e banorëve që jetojnë në ato banesa, prona e përbashkët po shfrytëzohet vetëm nga disa persona të cilët po zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor.

Ai vlerëson se as planet nuk janë të hartuara mirë. Thotë se ka një interes të madh për të ekzagjeruar koeficientin e ndërtimit, duke e lënë anash koeficientin e gjelbërimit.

Sipas tij, më e pakta që mund të bëhet është respektimi i koeficienteve ekzistues, ose ndryshe thotë se duhet të bëhet revidimi i planeve.

Sipas Sadikut, është e domosdoshme një qytetari më aktive për të luftuar për një hapësirë të përbashkët publike.

Për qytetarin Murtez Hasani, mungesa e gjelbërimit dhe pluhuri i shumtë po e bëjnë të vështirë jetën në kryeqytet.

Ai thotë se kanë probleme edhe me trotuaret.

Edhe Arzie Aliu thotë se u mungojnë shumë hapësirat gjelbëruese.

Ajo shprehet e pakënaqur edhe me infrastrukturën e lagjes ku jeton, pasi thotë se edhe kur po intervenohet aty, rrugët po dëmtohen nga ndërtimet tjera.

Kurse Azem Rrahmani thotë se Lagjja e Matit është me më së paku gjelbërim.

Komuna e Prishtinës nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me këtë temë. Madje zyrtarja për infomrim në këtë institucion, Miranda Mullafazliu për disa ditë me radhë ka kërkuar që t’i kenë pyetjet për këtë qështje, edhe pse u është treguar tema.

(Kosova Sot Online)